Site icon Telegrafi

Trump “i dërgoi një mesazh personal” diktatorit të Koresë së Veriut, në ditëlindjen e 36-të të tij

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një mesazh urimi për ditëlindje, diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë Chung Eui-yong, këshilltari për sigurinë kombëtare të Koresë së Jugut, ai që ka thënë se Trump i dha atij mesazhin që t’ia përcillte Kim-it – gjatë një takimi në Uashington të mërkurën.

Chung u tha mediave të Koresë së Jugut se Trump dëshironte që presidenti Moon Jae-in të transmetonte mesazhin, dhe beson se kjo ndodhi ditën tjetër.

Megjithatë, Chung nuk zbuloi përmbajtjen e saktë të mesazhit dhe nuk tha se si u mor nga shefi i Koresë së Veriut.

Ditëlindja e Kim është në 8 janar, dhe ai mendohet se është bërë 36 vjeç.

Ndërsa ishte në Uashington, Chung pati bisedime edhe me zëvendëssekretarin e Shtetit, Stephen Biegun dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien.

Mesazhi i Trump vjen në mes të marrëdhënieve të tensionuara midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut pasi bisedimet që synojnë të frenojnë programin bërthamor të Pyongyang dështuan vitin e kaluar.

Ndryshe, Kim ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur të rifillojë testimin e armëve nëse Amerika nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve, ndërsa Trump ka paralajmëruar Kim se ai ka “për të humbur gjithçka” nëse nuk i përmbahet marrëveshjes për të mos testuar raketa me rreze të gjatë.

Ndërkohë, Koreja e Veriut kishte premtuar një ‘dhuratë të Krishtlindjes’ për SHBA-në kur u duk se bisedimet nuk do të rifillonin së shpejti, por kjo nuk ka arritur të materializohet. /Telegrafi/

Exit mobile version