Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi emergjencë kombëtare për të mbrojtur rrjetet kompjuterike amerikane nga “kundërshtarët e huaj”.
Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv i cili iu ndalon kompanive amerikane që të përdorin operatorë të huaj që besohet se paraqesin rreziqe të sigurisë kombëtare.
Sipas urdhrit, këta kundërshtarë në mënyrë aktive dhe gjithnjë e më shumë po krijojnë dhe shfrytëzojnë dobësitë në infrastrukturën dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit duke paraqitur rrezik për sigurinë e SHBA.
Megjithëse urdhri nuk jep emra se cilët kompani apo operatorë duhet të shmangen, besohet se qëllimi i kësaj është pengimi i Huawei-t.
Gjiganti kinez i teknologjisë tha se kufizimi i biznesit të tij në SHBA do të dëmtonte vetëm konsumatorët dhe kompanitë amerikane.
Disa vende, të udhëhequr nga SHBA, kanë ngritur shqetësime në muajt e fundit se produktet Huawei mund të përdoren nga Kina për spiunazh./kp/