Donald Trump la zyrtarët qeveritarë në Madrid të hutuar pasi ai gabimisht tha se Spanja ishte një shtet anëtar i BRICS-it dhe i kërcënoi ata me tarifa.
BRICS përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, shkruan skynews.
Ndërkohë, Spanja është anëtare e NATO-s – së bashku me SHBA-në.
Trump bëri këtë gafë kur u pyet nga një gazetar për vendet e NATO-s “si Spanja”, të cilat nuk e përmbushin minimumin e shpenzimeve prej 2 për qind të prodhimit ekonomik për mbrojtjen.
Lideri amerikan tha se shpenzimet e Spanjës për mbrojtjen ishin “shumë të ulëta”, pastaj kaloi menjëherë tek BRICS.
“Ata janë një shtet i BRICS, Spanja. A e dini çfarë është një shtet i BRICS? Do ta kuptoni”, tha ai para gazetarëve në Zyrën Ovale, përpara se të thoshte se do të ndëshkonte ekonomikisht shtetet nga blloku.
“Do të vendosim të paktën një tarifë 100 për qind mbi biznesin që bëjnë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Si përgjigje, zëdhënësja e qeverisë spanjolle, Pilar Alegria, tha se nuk ishte e sigurt se pse presidenti amerikan e bëri këtë koment.
“Nuk e di nëse pohimi i bërë nga presidenti Trump ishte rezultat i një ngatërrimi apo jo, por mund të konfirmoj se Spanja nuk është pjesë e BRICS”, tha Alegria. /Telegrafi/