Telegrafi

Trump deklarohet pas debatit me Harrisin: Ajo po kërkon revansh pasi ka humbur

Donald Trump ka folur sot pas debatit të mbrëmshëm presidencial me Kamala Harrisin.

Ish-presidenti amerikan ka deklaruar se e ka fituar debatin ndaj zëvendëspresidentes aktuale amerikane.

“Kur dy luftëtarë luftojnë dhe njëri humbet, gjëja e parë që bëjnë është të kërkojnë një debat të ri, ose një luftë tjetër”, tha kandidati republikan kur u pyet nëse ekziston mundësia e mbajtjes së një debati të dytë muajin e ardhshëm.

“Ata humbën shumë keq dhe gjëja e parë që kërkuan është një debat të ri. Kur një luftëtar humbet ai thotë “unë dua një revansh”. Njeriu humbës gjithmonë e kërkon këtë. E fitova debatin”, pohoi Trump, shkruan skynews.

Ish-presidenti deklaroi vazhdimisht se kishte fituar debatin, duke shtuar se do të ishte “më pak i prirur” për një revansh, sepse kishte një “natë të shkëlqyer”.

Theksojmë se sondazhi i televizionit kabllor amerikan, CNN zbuloi se Harris ka fituar debatin me Trumpin.

Në total, 45 për qind e 605 personave të pyetur thanë se e shihnin pozitivisht performancën e saj – nga 39 për qind sa ishte para debatit.

Mendim pozitiv për Trumpin kanë 39 për qind ndërsa 51 për qind thanë se republikani ka dështuar në debat.

Ndryshe, Fox News ka kërkuar që të organizojë debatin e dytë midis Harrisit dhe Trumpit, gjegjësisht në datat midis 9, 15 ose 16 tetorit. Kandidatja demokrate ka thënë se do të marrë pjesë, por nuk ka pasur një përgjigje të prerë nga selia e Trumpit. /Telegrafi/