Roli i Arabisë Saudite në stabilitetin e Lindjes së Mesme, mbajtja e vazhdueshme e presionit ndaj Iranit dhe rëndësia e të drejtave të njeriut, kanë qenë tema të diskutimit gjatë një bisede telefonike që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka zhvilluar me Princin e Kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman.
Arabia Saudite është duke u përballur me presion në rritje mbi trajtimin e saj të luftës në Jemen. Poashtu ajo po përballet me kritika për veprimet që i bën për të shuar mospajtimin politik brenda vendit, përfshirë vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe persekutimin e aktivistëve për të drejtat e grave.
Ligjvënësit republikanë dhe demokratë të SHBA-së i kanë bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë të ngurtësojë qëndrimin e saj ndaj Arabisë Saudite pas vrasjes së gazetarit Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll.
Zyrtarët e inteligjencës së SHBA-së kanë vlerësuar se Princi i Kurorës urdhëroi vrasjen e Khashoggit. Këtë pretendim e mohojnë zyrtarët sauditë.
Khashoggi, kolumnist në “Washington Post”, u vra në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit të kaluar. Eshtrat e tij nuk janë gjetur.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së më 9 prill publikisht shpalli 16 persona për rolin e tyre në vdekjen e Khashoggi dhe tha se atyre do të iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
Lista përfshin Saud al-Qahtani, ish-ndihmës i princit të kurorës dhe Maher Mutreb, i cili ishte pjesë e rrethit të Princit të Kurorës në udhëtime jashtë Arabisë Saudite.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Trump dhe Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, diskutuan edhe për mënyrat e “mbajtjes së presionit maksimal ndaj Iranit”. Arabia Saudite po udhëheq një koalicion që lufton me luftëtarët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen.
Uashingtoni më 8 prill gjithashtu shpalli Gardën Islamike Revolucionare Islamike si një “organizatë terroriste të huaj” një veprim që ngjalli reagimin e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Më herët, presidenti Trump ka thënë se partneriteti i SHBA-së me Arabinë Saudite është i rëndësishëm për ekonominë e vendit dhe ruajtjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme. /rel/