Presidenti amerikan, Donald Trump ka anuluar një vizitë shtetërore në Danimarkë, pasi kryeministrja e këtij shteti, Mette Frederiksen, ka thënë se Grenlanda nuk është në shitje.
Presidenti amerikan kishte planifikuar të vizitonte Danimarkën më 2 shtator, me ftesë të Mbretëreshës së këtij shteti, Margrethe II.
Javën e kaluar, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara që ta blejnë Grenlandën, një territor autonom danez.
Kryeministrja daneze, Frederiksen e ka përshkruar këtë deklaratë si “absurde” dhe ka thënë se shpreson që Trump nuk ka qenë serioz.
Duke treguar për anulim të vizitës, Trump ka thënë në një postim në rrjetin social, Twitter: “Danimarka është vend shumë i veçantë me njerëz të jashtëzakonshëm, mirëpo bazuar në komentet e kryeministres, Mette Frederiksen se ajo nuk ka interes për të diskutuar blerjen e Grenlandës, unë do të shtyj takimin tonë, të planifikuar brenda dy javëve, për një herë tjetër”.
Denmark is a very special country with incredible people, but based on Prime Minister Mette Frederiksen’s comments, that she would have no interest in discussing the purchase of Greenland, I will be postponing our meeting scheduled in two weeks for another time….
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) August 20, 2019
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se vizita e presidentit të Shteteve të Bashkuara është anuluar.
Edhe një transmetues danez ka konfirmuar se Mbretëria e Danimarkës është lajmëruar për anulim të vizitës.
Presidenti amerikan ka konfirmuar ditë më parë interesimin për blerjen e Grenlandës, mirëpo autoritetet e këtij vendi kanë thënë se janë të hapur për tregti dhe bashkëpunim me SHBA-në, mirëpo “Grenlanda nuk është në shitje”.
Grenlanda është duke fituar vëmendje nga fuqitë e mëdha globale, duke përfshirë Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të lokacionit strategjik dhe burimeve minerale.