Telegrafi

Trump: Amerikanët po mësohen të jetojnë me coronavirusin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se qytetarët e SHBA-së po mësohen të jetojnë me coronavirusin, një ditë pasi u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Trump para disa ditësh pati rezultuar pozitiv me COVID-19, dhe me këtë rast ishte dërguar për trajtim në Qendrën Mjekësore Walter Reed.

“Më shumë se 100 mijë njerëz vdesin nga gripi i zakonshëm pavarësisht vaksinës. A duhet ta mbyllim vendin? Ne kemi mësuar të jetojmë me të, sikurse po mësojmë të jetojmë tani edhe me COVID-19”, u shpreh Trump.

Ndryshe, rreth 22 mijë persona vlerësohet të kenë vdekur nga gripi i zakonshëm rreth vitit 2019-2020, bazuar në të dhënat statistikore të qeverisë amerikane.

Ndërkaq, afro 210 mijë njerëz vdiqën nga coronavirusi në SHBA, prej se shpërtheu pandemia. /Telegrafi/