Site icon Telegrafi

“Trump-i”, ambasadorja shqiptare në Uashington: S’ndryshon qëndrimi i SHBA

Ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Floreta Faber nuk pret ndryshime drastike në politikën e jashtme, aq më pak të kursit të Uashingtonit karshi raportit me Tiranën.

Kryediplomatja shqiptare në Uashington u shpreh në Top Story-n e zhvendosur në studiot e Zërit të Amerikës këtë të enjte, se pavarësisht fuqisë që ka, sërish politikat e jashtme të Presidentit nuk janë vetëm dëshira të tij, sepse ato filtrohen nga Kongresi.

“Presidenti nuk vendos për çdo gjë. Ne jemi vende partnerë, ecim bashkarisht për çështje shumë të rëndësishme dhe Shqipëria ka treguar që është partnere e njëjtë në këtë koalicion. Në përgjithësi SHBA-të nuk ndryshojnë politikën e jashtme çdo 4 vite. Ka një qëndrueshmëri sa i përket politikës së jashtme”, tha ajo.

Si shembull, ambasadorja solli mbështetjen amerikane për Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon pas rrëzimit të komunizmit, mbështetjen e dhënë për Kosovën, fillimisht me ndërhyrjen e NATO-s gjatë një presidence demokrate dhe më pas në procesin e pavarësisë gjatë një presidence republikane.

Ambasadorja Fabre tha se lobimi i komunitetit shqiptar është përqendruar në Kongres dhe në Senat.

“Këtu merren vendimet më të rëndësishme dhe këtu është përqendruar puna jonë. Si shembull, ne kemi 1 nga 16 përfaqësitë në Senat dhe kjo është goxha e rëndësishme”, u shpreh ajo.

Ambasadorja njohu vështirësitë që mund të hasen me gjetjen e kanaleve të komunikimit me administratën e Trump, e cila pritet të zbardhet në ditët në vijim. /Telegrafi/

Exit mobile version