Site icon Telegrafi

Trukime futbolli, fiskale dhe elektorale – opinion nga Mero Baze

Skandali i trukimeve që ka shpërthyer sot UEFA për klubin Skënderbeu, nuk duhet trajtuar vetëm si një skandal trukimesh në futboll, por dhe si një trukim fiskal i biznesmenëve të akcizës që shfaqeshin në krah të ministrit të Financave, dhe trukim elektoral, ku influenca e arritjeve fallco në futboll, përkthehej në vota.

Skandali i trukimeve të kampionatit shqiptar në plot 41 raste, që UEFA ka publikuar, dëshmon se së paku tre drejtues të klubit të futbollit Skënderbeu, përfshi dhe ish- ministrin e Financave, Ridvan Bode, kanë qenë aktiv në këtë proces.

Tani unë e besoj që Ridvan Bode nuk ka marrë para nga trukimi i ndeshjeve me Skënderbeun. Ai ishte ministër Financash, dhe kishte miliona mundësi të pasurohej. Njerëzit e tij të afërt vërtiteshin nga lojrat e fatit, në sistemin doganor dhe tatimor, herë si komandantë, e herë si komisarë, por gjithnjë si grabitqarë. Bode nuk ka pasur nevojë të merrte asnjë lek nga Skënderebu, madje kam frikë se ka pasur bezdi të shikonte dhe ndeshjet e tij.

Por në vitin 2008, një grup biznesmenësh nga Tirana, të afërt me të, dhe disa gazetarë, mes të cilëve shquante Fevziu, vendosën të fuqizojnë politikisht klubin Skënderebu, me një plan të qartë biznesi. Grupi i biznesmenëve operon në tregtinë e mallrave me akcizë në Shqipëri, si pije dhe kafe, dhe ministri i Financave e kishte Korçën, zonën e tij elektorale.

Ringritja e Skënderbeut ishte një shans elektoral dhe një meritë që i dha vota në Korçë edhe Ridvan Bodes.

Kështu që koorporata filloi të funksionojë me një plan të qartë biznesi. Çdo ditë të dielë, një biznesmen me puro, një president me koncesione dhe ministri i Financave, shfaqeshin në çdo tribunë bashkë, dhe pas kësaj sistemi fiskal funksiononte për ta, si “miqtë e ministrit”. Po politikisht, Bode, siç thotë dhe raporti i UEFA-s, masakronte biznesmenët e tjerë që kishin klube futbolli, siç ishte rasti i Dinamos, presidentit të të cilit i prenë një herë një gjobë 11 milionë euro për kazinonë, pastaj ia bënë 2 milionë, pasi këta biznesmenët rrotull Ridvanit, ndërhynë “t’ia zbusnin”, me kusht që Dinamo t’i hapte rrugë Skënderbeut. Dhe ashtu ndodhi. Me këtë sistem gjobash financiare dhe politike, Skënderbeu çau rrugën për t’u bërë kampion i Shqipërisë, biznesmenët çanë rrugën për t’u bërë kampionë të evazionit fiskal, dhe Bode çau rrugën për ta kthyer zonën e Korçës me PD, edhe për shkak të Skënderbeut.

Tani kjo prokurori që kemi ne, nuk e kap dot Ridvan Boden, as për sekserin e tij të lojrave të fatit, as për evazionet e kafes dhe pijeve me akcizë që fusin e nxjerrin nga vendi ish-miqtë e tij. Tani është kapur për një gjë që s’ka fituar lekë. Është kapur duke përdorur shtetin kundër futbollit, për nevoja elektorale. Është kapur duke vjedhur vota më qartë. Pra jemi para një krimi trefish, një krimi që ka të bëjë me trukimin e futbollit, trukimin e akcizave dhe trukimin elektoral.

Prokuroria jonë duhet ta shikojë atë jo vetëm si trukim futbolli, por dhe si histori pasurimi biznesmenësh të lidhur me ish-ministrin e Financave dhe si krim elektoral. Duhet parë si krim i organizuar, ku futbolli është përdorur për të krijuar një aleancë mafioze, mes politikës, krimit dhe sportit.

Legjenda e futbollit gjerman Bekenbauer, po shkon para drejtësisë për një të mijtën e këtyre lidhjeve, dhe askush nuk po e mëshiron. Këtu këtë bandë deri tani po e mëshiron Federata e Futbollit, e cila për fatin e keq të vendit tonë, është pjesë e kësaj historie . Dhe natyrisht po shkëlqen me heshtjen e saj prokuroria. Si gjithnjë!

Exit mobile version