Telegrafi

Tronditet Tirana, vritet kamarierja në lokal – mes pesë të plagosurve edhe një fëmijë

(I plotësuar) – Një grua e vrarë, 5 të plagosur dhe një fëmijë 10 vjeç i lënduar. Ky është bilanci i asaj që duket se ka qenë atentat mbrëmjen e sotme në një lokal në rrugën “Ananstas Shundi”,  tek zona e njohur si “Don Bosko” në Tiranë.

Rreth orës 21:05 minuta persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë nga jashtë drejt lokalit duke lënë të vrarë banakieren e lokalit, shtetasen Mimoza Paja ndërsa janë plagosur Sait M. 50 vjeç; Astrit M. 42 vjeç, Emanuel S. 47 vjeç, Ermir. B, 45 vjeç dhe Genc Sh. 55 vjeç.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare, informoi policia e Tiranës.

Atentati ndodhi në një lokal që sipas policisë i përket shtetasit Fatjon Murati, person me precedentë penalë.

Policia në këmbë

Policia informoi se janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër. Vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Kush është Fatjon Murati?

Më 8 tetor 2022 Fatjon Murati u arrestua në makinë me Endrit Doklen dhe Gentjan Reçin për mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Burimet bëjnë me dije se aktualisht ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Ndërkohë më 14 tetor 2022 Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës së Tiranës sekuestro preventive mbi katër prona të paluajshtme dhe tri biznese me vlerë rreth 5 milionë euro në emër të tij, pasi sipas Prokurorisë dyshohen se kanë prejardhje kriminale. /RTSH