Site icon Telegrafi

Tronditet Arsenali, trajneri Arteta rezulton pozitiv me coronavirus

Mikel Arteta. (Photo by Catherine Ivill/Getty Images)

Coronavirus vazhdon të shtrihet fuqishëm edhe në Britaninë e Madhe.

Pandemia që ka kapluar thuajse gjithë vendet e botës ka prekur edhe botën e futbollit.

Kësisoj rasti i fundit është ai në Londër, ku trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka dalë pozitiv me coronavirus.

Kjo gjë është konfirmuar tanimë nga klubi londinez Arsenal, që ka njoftuar se ka mbyllur qendrën e stërvitjes Colney në Londër.

“Qendra jonë në Colney të Londrës është mbyllur pasi trajneri Mikel Arteta mori një rezultat pozitiv Covid-19 këtë mbrëmje”, thuhet në njoftimin e Arsenalit.

“Pjesëtarët e klubit të cilët kanë pasur kontakt me Artetan tani do të izolohen në përputhje me udhëzimet e qeverisë”.

Klubi ka njoftuar se Arteta ka pasur kontakt me një numër të konsiderueshëm të personave përfshirë skuadrën e parë dhe një pjesë nga akademia.

“Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm të personave që Arteta ka pasur kontakt, përfshirë skuadrën e parë dhe stafin stërvitor si dhe një pjesë nga akademia jonë”, thuhet në njoftimin e klubit.

Mikel Arteta, Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi . (Photo by Catherine Ivill/Getty Images)

Kujtojmë që pjesë e Arsenalit janë edhe dy futbollistët shqiptarë Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi të cilët gjithashtu do të jenë të izoluar deri në përfundim të testeve.

Nga kjo pandemi që ka kapluar botën deri më tani janë infektuar 127 mijë persona teksa 4719 kanë ndërruar jetë. /Telegrafi/

Exit mobile version