Një nga rock grupet legjendare shqiptare, Troja, kanë shfaqur një prej performancave më epike në karrierën e tyre në HardhFest 2016.
Festa e vjeljes së rrushit që ka dy vjet që është reformuar dhe që po mbahet në Rahovec, ka pasur për protagnoistë në natën e dytë të këtij edicioni rock grupin Troja.
Pas performancës së grupit avantgard lokal, Magnituda, ishte radha e Trojës për një shfaqje unikale prej rocku.
Mbi 10 mijë të pranishëm u ndezën me të hyrë në skenë vokalisti Bujar Berisha, i cili bashkë me pjestarët tjerë të bendit bënë për vete gjithë publikun.
Në shfaqje morën pjesë edhe motoristët prezent, me të cilët Troja vetëm sa e elektrizoi atmosferën.
Performanca u përfundua në një interpertim një zëri të publikut me rock grupin të hiteve të mëdha të tyre, teksa nuk mungoi as ironia me skenën politike, e cila u thumbua edhe një herë nga grupi që gjithmonë ka vënë në pah temat sociale.
Vendi i ashtuquajtur n’Konak ku u ngrit skena e madhe e HardhFest vazhdoi me festë deri në orët e hershme të mëngjesit me Gamblemania, Alex Belluscio dhe NWE që mbajtën atmosferën në nivel të lartë.
HardhFest përfundon sot (e dielë) me Art Sympozium ku po marrin pjesë dhjetëra artistë ndërkombëtarë të cilët ishin pjesë e kolonisë së artistëve në HardhCamp.
Sipas statistikave jo zyrtare, në bazë të vlerësimeve të para mund të konstatohet se rreth 30 mijë vizitorë e turistë ishin në Rahovec për festën e vjeljes së rrushit, që përbën rekord historik në edicionin e 15-të dhe jubilar të festës së vjeljes së rrushit.