Në dhjetë vitet e ardhshme shteti të miratojë ndalesë të plotë për peshkimin e troftës së Ohrit, kërkon koncesioneri i Liqenit të Ohrit. Sipas tij kjo është mënyra e vetme bashkë me mbrojtjen e duhur fizike që ky lloj i rrezikuar endemik i peshkut, sërish të kthehet në liqen. Kërkesë të këtillë që prej 10 ditëve koncesioneri e ka dërguar pranë Ministrisë së Bujqësisë, pylltarisë dhe ujrave.
”Për këto katër-pesë vite, ne kemi peshkuar sasi të vogël të troftës dhe evitojmë peshkimin e saj. Nëse pajtohet ana e Shqipërisë të miratojë ndalesë, do të isha i kënaqur dhe shpresoj që trofta të kthehet. Neve na u lejua të peshkojmë sasi të mëdha të troftës diku rreth 30-40 ton, ndërsa ne kapëm vetëm 300 kg” – tha për Alsat-M, Tanas Tanasoski, koncesioner me Liqenin e Ohrit.
Shoqatat ekologjike konsiderojnë se është e domosdoshme mbrojtja konkrete e troftës. Edhe shoqatat ekologjike edhe koncesioneri bëjnë thirrje për bashkëpunim mes palës maqedonase dhe asaj shqiptare.
”Ne këmbëngulim që bashkërisht ta mbrojmë Liqenin e Ohrit. Me këtë me siguri mbrojtja fizike do të ishte shumë më e madhe. Me shërbime të përziera për ruajtjen e peshqve, ndërsa mund të përfshihet edhe policia” – u shpreh Tanas Tanasoski, koncesioner me Liqenin e Ohrit.
Koncesioneri thotë se edhe pse është zvogëluar numri i vjedhësve të peshqve, edhe më tej trofta kapet me rrjeta të palejuara me vrima të vogla, ku peshkohen edhe peshqit më të vegjël./Telegrafi/