Telegrafi

Triumfon mençuria e Zonjës

Një paraqitje jo për t’u lëvduar e Bianconerëve në fraksionin e parë, mirëpo avantazhi ishte në anën e tyre. Porsa dha shenjë gjyqtari për të nisur loja, skuadra vendase filloi presionin, mirëpo shumë shpejtë u ndëshkua.

Një top i gjatë i Federico Pelusos e gjeti Alessandro Matrin, i cili e futi topin nën këmbët e portierit. Wilson e nxori topin pasi kishte kaluar vijën fatale, ndërsa Claudio Marchisio nuk la hapësira për dyshime (3’).

Marchisio ka mundur ta dyfishojë epërsinë në një nga rastet e pakta të mysafirëve, ndërkohë që Gigi Buffon ishte meritor që Zonja e Vjetër udhëhiqte, duke qenë se sulmet e skocezëve nuk kishin të ndalur, ndërsa bardhezinjtë me vështirësi shkonin përpara.

Vendasit vazhduan të luanin mirë edhe në pjesën e dytë, por mbrojtja bianconere ishte e pathyeshme. Ndërkohë që nuk mungonte rreziku nga kundërsulmet mysafire.

Dhe derisa lojtarët e Celticut e kërkonin golin e barazimit, Claudio Marchisio pranoi një top nga Matri, nxori nga loja një mbrojtës dhe shënoi golin e dytë (77’).

SuperClaudio krijoi hapësirë, asistoi te Mirko Vucinic, i cili shënoi golin e tretë (83’) për t’i shokuar tifozët në Celtic Park.

Juventusi është favorit absolut për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi që përveç rezultatit të lartë, në ndeshjen kthyese do të ketë edhe mbështetjen e tifozëve. /Telegrafi/