Telegrafi

Triumf i rëndësishëm i Unitedit ndaj Watfordit

Festa e lojtarëve të Unitedit (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

Manchester Unitedi ka regjistruar fitore të rëndësishme në garën për katër pozitat e para në Ligën Premier duke e mposhtur Watfordin (2-1) në Old Trafford.

Djajtë e Kuq kaluan në epërsi në pjesën e parë me golin e Marcus Rashford (28′), i cili realizoi pas asistimit nga Luke Shaw.

Një tjetër mundësi e pati në vazhdim Anthony Martial, mirëpo ky ishte goli i vetëm në gjysmën e parë të lojës.

Marcus Rashford shënoi në pjesën e parë (Foto: Clive Brunskill/Getty Images/Guliver)

Në fraksionin e dytë, mysafirët u angazhuan duke bërë presion në përpjekje për t’i ndryshuar gjërat, mirëpo pa sukses.

Dhe për ta vulosur fitoren e skuadrës nikoqire u kujdes Anthony Martial, i cili reagoi më së miri në zonë pas një topi të pa pastruar mirë dhe shënoi (73′).

Loja u dramatizua në fund, pasi vizitorët e ngushtuan rezultatin me golin e Abdoulaye Doucoure (90’+1) dhe tentuan ta barazonin rezultatin, por nuk ia dolën.

Me fitoren e arritur, Manchester Unitedi ngritet në vend të katërt në tabelë, me një pikë më shumë se Arsenali (që do të luajë kundër Newcastle United). Watfordi është në pozitë të mirë në tabelë dhe nuk rrezikon rënien nga liga.

Në xhiron e ardhshme, Djajtë e Kuq udhëtojnë te Wolverhampton Wanderers, kurse Watfordi është nikoqir i Fulhamit. /Telegrafi/