Telegrafi

Triumf i lehtë i Dritës ndaj Ferizajt, vazhdojnë kryesimin në Ipko Superligë

Drita ka vazhduar me fitore në elitën e futbollit kosovar, ku ka regjistruar të tretën pas rikthimit.

Gjilanasit kanë triumfuar me rezultat të pastër 2-0 ndaj Ferizajt, për të vazhduar kryesimin në Ipko Superligë.

Pjesa e parë u dominua nga vendasit që patën disa raste, por pa arritur ta dërgonin topin në rrjetë.

Drita e nisi pjesën e dytë fuqishëm, ku pas tre minutave fituan penallti pasi Genc Berisha i mysafirëve e ndali topin me dorë në zonë.

I saktë nga pika e bardhë ishte Kastriot Rexha që zhbllokoi rezultatin duke shënuar për 1-0.

Për Rexhën goli ndaj Ferizajt ishte i 11-ti këtë kampionat dhe tani ndanë pozitën e dytë në listën e golashënuesve së bashku me Blend Baftiun.

Drita vazhdoi të rrezikonte portën mysafire, derisa rast të mirë pati edhe Benjamin Shabani kur goditi shtyllën.

E goli i dytë në ndeshje u shënua në minutën e 77-të nga qendërmbrojtësi Ardian Cuculi pas asistimit nga Astrit Fazliu.

Me këtë fitore Drita vazhdon kryesimin në Ipko Superligë me 52 pikë të tubuara, pesë më shumë se Prishtina që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Ndërkohë Ferizaj vazhdon të mbetet në pozitën e 10-të në tabelë me 25 pikë pas 25 ndeshjeve.

Në javën e 26-të lideri i Superligës luan në udhëtim te Vushtrria, ndërsa Ferizaj do të jetë nikoqir i Ballkanit. /Telegrafi/