Policia ka vendosur një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit që vendosi lëndën plasëse në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Përmes një komunikate për media, policia e Shkodrës bën me dije se hetimet në lidhje me rastin vijojnë dhe është ngritur një grup pune me ekspertët më të mirë për të bërë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ftohet çdo qytetar që mund të ketë informacion ta dërgojë atë në numrin 069 41 05 436.
“Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, si dhe vijon punën intensivisht, për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë identifikimit të autorit/ëve, zbardhjes dhe dokumentimin të rrethanave të ngjarjes.
Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara.
Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30,000 euro.
Kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436. Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurtë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri publike”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/