Telegrafi

Trisomia 21 dhe kanceri

Një studim i publikuar në revistën “Nature” të cilin e kanë realizuar shkencëtarët amerikanë në Boston, duke analizuar qelizat e njeriut dhe të minjve, ka treguar se njerëzit të cilët vuajnë nga sindroma e Down-it mund të kenë dobi nga gjeni i cili bllokon zhvillimin e enëve të gjakut (angiogjenezën) të nevojshme për rritjen e tumorit.

Hulumtuesit kanë zbuluar se kopja shtesë e gjenit të quajtur Dscr1 që gjendet në kromozomin 21, dukshëm zvogëlon rritjen e tumorit te minjtë, si edhe zvogëlon angiogjenezën te minjtë dhe te njeriu.

Ky studim ka vërtetuar po ashtu se niveli i Dscr1 është i lartë te njerëzit të cilët vuajnë nga sindroma e Down-it, dhe ky gjen së bashku me një gjen tjetër (Dyrk1A), i cili gjendet në kromozomin 21, ndikojnë në zvogëlimin e faktorit të zhvillimit të enëve të gjakut, dhe rrjedhimisht pengohet angiogjeneza.