Site icon Telegrafi

Tripunovski: 80 kantina të verërave nga Maqedonia, promovohen në panairin e Ballkanit të Hapur në Serbi

Republika e Maqedonisë sot prezantohet në “Wine Vision of the Open Balkans” në Beograd.

Këtë vit në këtë panair janë të përfaqësuara 80 kantina, nga të cilat 68 janë kantina të vogla familjare dhe 12 kantina janë pjesë e shoqatës “Verërat e Maqedonisë”.

“Edhe në këtë manifestim për herë të parë kemi ekspozues të ushqimeve tradicionale cilësore maqedonase”, tha ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Cvetan Tripunovski.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer që verërat cilësore maqedonase të promovohen këtu në panair”, shtoi ministri Tripunovski.

Ai theksoi se është rritur shitja e verës maqedonase jashtë kufijve të vendit.

“Republika e Maqedonisë është në vendin e 22-të në botë për nga prodhimi i verës, ndërsa në vendin e 29-të për nga eksporti i verës në botë”, përfundoi ministri.

Ministri Tripunovski shtoi se Qeveria synon të rrisë prodhimin e verës në vend, me çka do të rritet edhe eksporti i saj në botë. Hyrja valutore nga eksportet e verës për vitin 2023 arriti në mbi 57 milionë euro.

“Verërat tona shiten në mbi 40 vende të botës. Dhe pjesa më e madhe është vendosur këtu në rajon, pra në Ballkan”, theksoi ai.

“Si Qeveri vazhdojmë të punojmë me përkushtim në sferën e sektorit të verëtarisë, sepse është dega e dytë më e rëndësishme në Republikën e Maqedonisë sa i përket eksportit dhe hyrjeve devizore”, theksoi ministri Tripunovski.

Exit mobile version