Gjatë Krizës së Madhe Ekonomike në vitet ’20 të shekullit të kaluar, supat falas për të varfrit e Çikagos në ShBA, bënë që një kriminel famëkeq si Al Capone të perceptohet nga turmat si humanist. 60 vjet më vonë, Pablo Escobari u bë hero i lagjeve të varfra të Medellinit të Kolumbisë.
Rastet e tilla tregojnë se në kohë krizash ka edhe kaos vlerash, andaj ndodhin perceptimet e gabuara për të mirën e për të keqen. Historia e njerëzimit njeh shumë shembuj të tillë. Vlen të përmendet rasti i një prej heronjve më të mëdhenj të kinematografisë, Robin Hoodit. Ai është simbol i drejtësisë; është heroi që vjedh nga të pasurit e u ndihmon të varfërve; është fisniku i drejtë anglez që kundërshton rendin që e imponon një sundimtar i keq e uzurpator – mbreti John; është zëri i popullit, shpresa… Por, e vërteta është se është pikërisht Johni i “keq” ai që e miratoi dokumentin e famshëm Magna Carta, që vlerësohet si boshti i demokracisë moderne. E, Robin Hoodi nuk ishte fisnik, por një çoban dhe kriminel ordiner si Capone apo Escobari.
Përderisa miti i Hoodit, Capones apo Escobarit janë brumë i mirë veç për kinematografi, të tre këta nuk janë modele që i aplikojnë ShBA-ja, Anglia apo edhe Kolumbia (një popull, po ashtu, me nivel shumë të lartë të artit e të kulturës). Sepse shteti dhe e ardhmja nuk bazohen në gënjeshtra.
Në anën tjetër, e tëra që u thuhet shqiptarëve është se ishin të mirë, se askënd nuk e kanë sulmuar, se janë i vetmi popull që nuk ka bërë kurrë luftëra pushtuese, ama se ishin fort fatkeq: përherë të rrethuar me armiq e të nëpërkëmbur. Ishin pra viktima, dhe viktimizimi fatkeqësisht u bë vlerë.
Kjo mendësi fillesat i ka te miti i Rozafës, tek ai rrëfimi për tre vëllezërit e martuar që ndërtonin një kala, por puna që bënin ditën u prishej natën. Krejt kjo derisa një ditë një plak u thotë ta lidhin besën dhe të mos përgojojnë këtë që do t’ua thotë: nusja që ditën tjetër ua dërgon ushqimin, duhet të muroset e gjallë në kala. Dy vëllezërit e mëdhenj paralajmërojnë gratë, por jo edhe i vogli që mbase besonte se fati përcaktohet nga një fuqi e panjohur. Rozafa muroset dhe e lë jetim djalin e vogël.
Pra, miti i viktimizimit të Rozafës ndërlidhet me tradhti dhe besimin e verbër. Dhe, ky lloj viktimizimi, kjo sakrificë “për të mirën”, edhe sot perceptohet si vlerë, si virtyt që duhet ndjekur. E, për ta mbështetur ndërtimin e “Kalasë” (marrjen e mbajtjen e pushtetit), modelet kërkohen kudo. Por, më i keqi është ai i Avni Rustemit që përmendet sa herë që dikujt i rrezikohet “Kalaja”.
Emri i Avni Rustemit ndërlidhet me emrin e Esat pashë Toptanit. I pari merret si patriot i padiskutueshëm, i dyti si tradhtar i padiskutueshëm. Të dy emrat përdoren sa herë që nxitet ndarja në “ne” dhe “ata”! Stereotipat për të dy këta emra dëshmojnë se kemi pak e hiç historianë të duhur, aq sa edhe dëshirë për ta thënë të vërtetën. Sepse, Esat pasha nuk e meriton të jetë simbol i tradhtisë e as Avni Rustemi simbol i padiskutuar i patriotizmit.
Esat pashë Toptani ishte trim dhe e ka mbrojtur Shkodrën. Megjithatë, ishte edhe karrierist, dallkauk e i etshëm për pushtet. Pra, nuk është i shenjtë, por as personifikim i djallit. Atë Zef Pllumi te libri i parë “Rrno vetëm për me tregue” dhe te vepra “Siç thonim dje…” tregonte se, sipas arkivave të françeskanëve që kishte parë si i ri, Esat pashë Toptani e donte një Shqipëri etnike. Po sipas tij, Avni Rustemi ishte patriot naiv që nxitet nga Luigj Gurakuqi e Mehmet Konica për ta vrarë Esatin. Këshilla e tyre ishte që të shkonte në Paris dhe të kërkonte bursë për studimet. Esati e takon dhe pranon se do ta ndihmojë meqë Shqipëria ka nevojë për njerëz të shkolluar. Kur Avniu refuzon ta kryejë atentatin, ia mbushin mendjen për “tradhtitë” e tij. Dhe, e vrau njeriun që e mirëpriti.
Intelektuali dhe njeriu që e dokumentoi më së miri historinë shqiptare të dekadave të para të shekullit XX, Eqrem bej Vlora, në vëllimin e dytë të librit të tij, “Kujtime”, ka shkruar: “Që Esat pasha në çdo vend të qytetëruar do ta kishte hak trekëmbëshin, kjo nuk diskutohet. Por, që ai u eliminua në këtë mënyrë të padenjë, kjo nuk i nderon aspak anëtarët e asaj qeverie (të Lushnjës – v.j.)”. Ndërsa, për Avni Rustemin ka thënë: “Një djalosh i quajtur Avni Rustemi, një nga studentët më të pasuksesshëm, që me këtë vrasje donte të bënte emër, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat pashës. Ata i dhanë mjetet e nevojshme për këtë vrasje dhe morën njëherësh përsipër mbrojtjen e tij para gjykatës franceze… Drejtësia franceze, me një manipulim të habitshëm të ligjit, e nxori të pafajshëm Avni Rustemin dhe që qeveria shqiptare e shpalli hero dhe e bëri deputet, kur ky vrasës i pabesë, pra kapardisej nëpër Tiranë si ndonjë shpëtimtar i atdheut. Ky shembull u tregonte gjithë djemve shqiptarë se si me anë të një plumbi të shkrehur nga prapa shpinës si burracakët, mund të bëhesh njeri i madh”.
Avni Rustemi ishte majtist. Ai ishte hero për Ahmet Zogun, pastaj për Fan Nolin e, mbi të gjitha, për regjimin komunist të Enver Hoxhës. Të gjithë këta e projektuan një armik që nuk e do të mirën e shqiptarit (Esatin) dhe një hero që kërcënon se kundërshtarëve, atyre që mendojnë ndryshe, u jepet dënimi (Avniun). Ndjekja e këtij modeli për të pushtuar dhe mbajtur “Kalanë”, është i rrezikshëm sa nepotizmi, korrupsioni e drejtësia e nëpërkëmbur. Sepse rasti i Enver Hoxhës dëshmon se krahasimi me të keqen çon te një e keqe tjetër, më e madhe.
Shqiptarët e shekullit XXI nuk kanë nevojë për Rozafën, Esat pashën e Avni Rustemin. As për viktima, tradhtarë e heronj të rinj.