Telegrafi

Tringa Shala, një tjetër aktore nga Kosova që i bashkohet kinematografisë turke

Kinematografia turke që një kohë të gjatë ka qenë e pasuruar me aktorë shqiptarë, e më së shumti kjo gjë është vënë re viteve të fundit.

Thuajse çdo vit e çdo muaj të ri ka pasur raportime për aktorët nga Kosova e Shqipëria që i janë bashkuar një filmi apo seriali turk.

E ky trend po vazhdon akoma, ndonëse seritë turke na kanë shoqëruar gjithnjë në ekranet tona.

Foto: Telegrafi

Një artiste nga Kosova po ashtu është bërë pjesë e një filmi të ri, që pritet të ketë premierën në muajin shtator.

Bëhet fjalë për aktoren me prejardhje nga Peja, Tringa Shala (24-vjeçare), e cila siç mëson Telegrafi është bërë pjesë e një filmi të zhanrit komedi-romancë të titulluar “Cunku”, që përfshin një sërë figurash të tjera ndërkombëtare.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Kinematografia

Bukuroshja, e cila ka mbaruar studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, luan rolin kryesor dhe pikërisht një shqiptare në këtë projekt.

E njëjta mes tjerash do të shfaqet përkrah aktores shumë të njohur e të dashur turke, Guler Okten.

Foto: Telegrafi

Telegrafi tutje mëson se gjithçka nisi një vit më parë kur Shala ishte ftuar në një audicion, e ndërkohë që një javë më parë ka bërë provat për të kuptuar më shumë se si ndodhet me shqiptimin turk.

Aktorja, e re që besohet se do të arrijë majat e suksesit duke besuar në vlerat dhe potencialin që posedon, është cilësuar e denjë për rolin.

Megjithëse nuk ka ende një datë të saktë të publikimit, xhirimet kanë nisur nëpër vende të ndryshme nëpër Turqi dhe pritet të përfundojnë së shpejti.

Foto: Telegrafi

Përveç Tringës, vëmendje të madhe këtë kohë ka marrë edhe modelja e prezantuesja, Arbnora Ademaj, e cila prej më shumë se dy vitesh ka pushtuar kinematografinë turke.

Lexo po ashtu Arbnora Ademaj shpërblehet me çmimin "Aktorja më e mirë e huaj" në festivalin prestigjioz, Mood Awards në Turqi

Asaj iu besua një rol në “Kirik Hayatlar”, për të cilin mori vlerësime të larta nga kritikët e filmit.

Por jo vetëm kaq, janë përfolur edhe shumë emra të tjerë të suksesshëm shqiptarë, që edhe nga aktorët turk kanë pasur vlerësime për talentin dhe përkushtimin në industrinë e filmit. /Telegrafi/