Në prani të ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, gjyqësorit dhe prokurorisë, përfaqësuesve të publikut profesional dhe ekspert, të Odës së Avokatëve dhe organizatave joqeveritare, sot është mbajtur forumi publik për ndryshimet në Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor dhe Ligjin për kundërvajtje që duhet të bëhen për funksionimin e projektit “Qyteti i sigurt”.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, theksoi se me qasjen sistematike grupi punues ka konstatuar se nevojiten ndryshime në pesë zgjidhje ligjore që ky projekt të funksionojë siç duhet: Ligji për siguri në rrugë, Ligji për kundërvajtje, Ligji për automjete, Kodi Penal dhe Ligji për ekzekutimin e sanksioneve. Ai tha se këto janë të gjitha ligjet që duhet të ndryshohen për të krijuar një zgjidhje funksionale sistematike.
“Sot ky forum përfshin pothuajse të gjithë faktorët institucionalë në shoqërinë tonë që mund të japin një kontribut të rëndësishëm, me qasje kaq gjithëpërfshirëse besojmë se përmes një procedure transparente do të arrijmë zbatimin cilësor të projektit “Qytet i sigurt dhe shtet i sigurt”. Besoj se me realizimin e këtij projekti në të ardhmen do ta ndryshojmë tërësisht kulturën e komunikacionit për të rritur plotësisht sigurinë në komunikacion, në mënyrë që të mos kemi më kurrë shifra të tilla si 142 viktima të aksidenteve në komunikacion në vit”, theksoi ministri Toshkovski.
Ministri Toshkovski shpjegoi se me intensifikimin e kontrolleve në komunikacion dhe me rritjen e numrit të shkeljeve të regjistruara për këtë periudhë që nga fillimi i vitit, aksidentet në komunikacion janë reduktuar për 30 për qind dhe aksidentet me viktima për 60 për qind dhe pret që vendosja e sistemit “Qytet i sigurt” t’i zvogëlojë dukshëm ato shifra kur të vihet në funksion.
Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së Armen Grigoryan vuri në dukje se zyra e UNDP-së ofroi mbështetje eksperte për zbatimin e ndryshimeve ligjore për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe kështu iu bashkua Ministrisë së Punëve të Brendshme në zbatimin e suksesshëm të nismës “Qyteti i sigurt”./Telegrafi/