Java e 21-të në superligën e futbollit të Kosovës pritet të përfundojë me tri super ndeshje.
Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Pejë, ku Besa do të jetë nikoqire e Trepçës ’89.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë takim pas tri fitoreve radhazi në kampionat dhe pritet një ndeshje e zjarrtë mes tyre.
Me një fitore eventuale, Besa do t’i afrohej kreut në -11 pikë dhe pejanët ende po shpresojnë në titull.
Ndërkohë në Gjilan do të jetë një tjetër ndeshje spektakolare pasi do të përballen dy skuadrat e rrezikuara, Drita dhe Drenica.
Fitorja eventuale e gjilanasve do t’i shtonte atyre gjasat që të afroheshin me pozitat për mbetjen në ligë, ndërsa Drenicasit synojnë të marrin një barazim për mos ta lënë Dritën t’i afrohet.
Në Prizren, Liria në telashe ende pasi nuk ka siguruar asgjë do të ketë punë tejet të vështirë.
Bardhezinjtë do të përballen me kampionin në fuqi Feronikelin që po lufton për mbrojtjen e titullit të kampionit. /Telegrafi/