Telegrafi

Tri pozitat kyçe që Mourinho do t’i forcojë në janar: Mbrojtës i majtë, një anësor dhe një mesfushor qendror

Jose Mourinho është i gatshëm t’i përforcojë tri pozita kyçe në afatin e janarit, duke qenë se dëshiron të ketë një skuadër të fortë te Manchester Unitedi.

Strategu portugez i ka në dispozicion 80 milionë funte (91 milionë euro) për afatin dimëror, në mënyrë që të luftojë në të katër frontet.

(Foto: Getty Images)

Liga Premier, Kupa e Ligës, Kupa FA dhe Liga e Kampionëve, janë garat në të cilat marrin pjesë Djajtë e Kuq.

Për këtë arsye, Mourinho ka nevojë për lojtarë të rinj në pozitat: mbrojtës i krahut të majtë, një anësor dhe një mesfushor qendror.

Sipas Yahoo, një prej prioriteteve të tij është një lojtar anësor që luan me këmbë të majtë.

(Foto: Getty Images)

Trajneri i ka konvertuar Anthony Martialin dhe Marcus Rashfordin si anësorë të majtë, mirëpo ka nevojë për një specialist me këmbë të majtë për t’i forcuar opsionet taktike.

Derisa Ashley Young ka luajtur mirë si mbrojtës i majtë, Mourinho vazhdon të jetë në kërkim të një lojtari në këtë pozitë për periudhë afatgjate, ndërsa Danny Rose (Tottenham Hotspur) është shënjestra kryesore.

(Foto: Getty Images)

Lëndimet e futbollistëve, si Marouane Fellaini, Michael Carrick, Paul Pogba, Ander Herrera e Nemanja Matic, e kanë detyruar trajnerin të mendojë për një mesfushor qendror.

Për më shumë, Fellaini, Carrick e Herrera, janë në vitet e fundit të kontratave të tyre aktuale. /Telegrafi/

(Foto: Getty Images)