Vëllaznimi ka arritur të triumfojë në derbin kuq e zi përballë Drenicës me rezultat minimal 1-0.
Ndeshja nisi qetë me dy skuadrat që luanin kujdesshëm pasi ndeshja ishte e rëndësisë së madhe për të dyja ekipet.
Por në minutën e 14-të, Vëllaznimi mbeti pa portierin Altik Muhaxhiri i cili u ndëshkua me karton të kuq.
Muhaxhiri bëri një ndërhyrje të palejueshme në Ukën e mysafirëve jashtë zonës së 16 metërshit dhe Gen Nuza e përjashtoi.
U desh të pritej minuta e 20-të e ndeshjes për të parë rastin e parë serioz në ndeshje, kur Alban Dragusha rrezikoi me kokë.
Në minutën e 24-të erdhi goli i shumëpritur nga vendasit.
Talenti i madh gjakovar, Lekë Vula përfitoi nga një gabim i portierit mysafir Neziri dhe shënoi me kokë për 1-0.
Në minutën e fundit të pjesës së parë, Kreshnik Uka i mysafirëve pat rast të mirë shënimi por nuk ishte i saktë.
Me epërsinë 1-0 të Vëllaznimit përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Drenica e nisi më mirë pjesën e dytë duke rrezikuar portën e vendasve.
Taulant Dajaku (47’), Genc Hamiti (54’) dhe Kreshnik Uka në minutën e 64’ rrezikuan por pa arritur cakun.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit ruajtën epërsinë dhe arritën tri pikë të arta.
Vëllaznimi kësisoj mbetet në pozitën e nëntë por tani ka grumbulluar 35 pikë dhe ndodhet vetëm një pikë larg Drenicës.
Në ndeshjen e ardhshme Vëllaznimi luan në udhëtim tek Trepça ’89 ndërsa Drenica pret Flamurtarin. /Telegrafi/