Barcelona po konsideron opsionet e saj pasi morën një goditje të rëndë kur mësuan se kapiteni Marc-Andre Ter Stegen do të jetë jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit.
Me shumë mundësi ata do të nënshkruajnë me një zëvendësues, por pyetja mbetet se për cilin prej tyre do të vendosin në janar ose të nënshkruajnë me një lojtar të lirë.
Në rast se vendosin për një lojtarë të lirë, opsione i Keylor Navas dhe Claudio Bravo janë përmendur madje ky i fundit ka thënë se do të rikthehej nga pensionimi nëse Barcelona e kërkon atë.
Sipas mediumit katalanas Sport, blaugranasit kanë në mendje tre emra për portën.
Alvaro Valles i Las Palmas është identifikuar si një opsion i mundshëm dhe do t’i skadojë kontrata verën e ardhshme. Las Palmas po e përdor Jasper Cillessen në portë momentalisht, kështu që mund ta lejojnë largimin e Valles.
Një tjetër opsion është Stole Dimitrievski i Valencias. Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut u transferua tek klubi spanjoll për të zëvendësuar Giorgi Mamardashvilin në një kontratë dy vjeçare, por pasi gjeorgjiani ka mbetur edhe sivjet në Spanjë, Dimitrievski po ‘ngroh’ bankën rezervë.
Barcelona më herët e kishte monitoruar situatën e Dimitrievskit njësoj si në rastin e Valles.
Një opsion më i ri do të ishte Guillaume Restes i Toulouse. 19-vjeçari si i ri në moshë do të konkurronte me Inaki Penan për pozitën e numrit dy, sapo Ter Stegen të rikthehet në aksion.
Barcelona e kishte konsideruar një ofertë prej 15 milionë eurove plus pesë milionë shtesa gjatë verës, por ishte e qartë se nuk kishin fonde të mjaftueshme për ta kompletuar marrëveshjen./Telegrafi/