Pesë fëmijët të cilët u plagosën kur të armatosurit e kartelit meksikan qëlluan në drejtim të tyre janë bartur për në spitalet në ShBA, pas sulmit të ashpër.
Tre nëna dhe gjashtë fëmijët e tyre, të cilët i përkasin familjes LeBaron, u vranë nga personat e armatosur ndërsa udhëtonin në një kolonë prej tre veturash në shtetin kufitar meksikan të Sonora të hënën.
Sipas DailyMail, përcjell Telegrafi, gjashtë fëmijë u plagosën në sulm dhe pesë prej tyre janë bartur në spitalet në Phoenix, Arizona për trajtim.
Tre fëmijë të tjerë nuk ishin të plagosur dhe mbetën me familjen në Meksikë.
Ndërkohë të afërmit kishin postuar foto në mediat sociale të fëmijëve me gjak, të cilët ngushëlloheshin nga të afërmit në një spital meksikan para se të transferoheshin.
Autoritetet lëshuan gjithashtu imazhe të fëmijëve që u transmetuan nga ajri me ndihmën e Forcave Ajrore të Meksikës.
Njëri nga djemtë që nuk mbeti i lënduar në sulm besohet të ketë shpëtuar të afërmit e tij të plagosur, pasi 13-vjeçari i mbuloi me degë për t’i fshehur nga kartelet e armatosur para se të kthehej në shtëpi për ndihmë.
Nënat e vrara po vozitnin në automjete të ndara me fëmijët e tyre nga komuniteti fetar La Mora, ku ata jetojnë, që është një vendbanim në Sonora.
Rhonita Maria LeBaron dhe katër fëmijët e saj – binjakët e saj gjashtë muajsh, Titus dhe Tiana, vajza e saj 10-vjeçare Krystal dhe djali 12-vjeçar Howard – u vranë të gjithë.
Dy nëna të tjera, Dawna Langford dhe Christina Langford Johnson, si dhe djemtë e Dawna, të moshës 11 dhe tre vjeç, gjithashtu u vranë të gjithë.
Katër nga pesë fëmijët e Dawna që i mbijetuan sulmit pësuan plagë me armë zjarri. Vajza e saj 14-vjeçare Kylie u qëllua në këmbë, Cody-vjeçari u qëllua në nofull dhe këmbë dhe Xander katër vjeçar u qëllua në shpinë.
Gjithashtu një video e postuar në mediat sociale tregonte mbetjet e automjetit të tyre të mbushur me vrima plumbash.
Pas marrjes së informatës, një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Ai, duke konfirmuar ngjarjen, ka thënë se familja “u kap midis dy kartelave të drogës, të cilët po qëllonin njëri-tjetrin”.
“Nëse Meksika ka nevojë ose kërkon ndihmë për të pastruar këto monstra, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme dhe të aftë të përfshihen dhe të bëjnë punën shpejt dhe në mënyrë të efektshme”, ka thënë Trump. “Kjo është koha që Meksika, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, të fitojnë luftën mbi kartelet e drogës dhe t’i fshijë ata nga faqja e dheut. Ne thjesht presim një thirrje nga presidenti juaj i ri i ri!”. /Telegrafi/