Sa e mirë do të ishte një gjë sikurse heqja e çamçakëzit nga rrobat brenda pak minutave?
Mos u brengosni, nuk sugjerojmë që t’i hidhni në bërllok xhinset e preferuara vetëm për shkak të një çamçakëzi ngjitës, por iu sugjerojmë disa metoda të lehta me të cilat do ta hiqni çamçakëzin brenda një kohe shumë të shkurtë.
Paralajmërim: Para se ta filloni procesin, sigurohuni që rroba është e palosur në atë mënyrë që ia pamundëson çamçakëzit të ngjitet në pjesë tjera të saj, transmeton Telegrafi.
Metoda e ngrirjes
Kjo është ndër mënyrat më të mira për ta hequr çamçakëzin nga rrobat, nëse veç nuk e keni këtë punë me nxitim.
Rrobën e vendosni në një qese të plastikës dhe e mbyllni atë. Qesen e vendosni në frigorifer për dy orë dhe pastaj, kur të jetë ngrirë çamçakëzi tërësisht, e hiqni atë nga frigoriferi.
Me një thikë filloni ta hiqni çamçakëzin dhe do ta shihni se sa lehtë hiqet.
Nëse shihni se kanë mbetur shenja nga çamçakëzi, atëherë thjesht e pastroni me pak ujë apo detergjent dhe kjo nuk do t’ju paraqet problem.
Spreji i flokëve
Nëse dëshironi ta shpejtoni procesin, thjesht vendosni sasi të konsiderueshme të sprejit të flokëve në pjesën e prekur nga çamçakëzi. Kimikalet e sprejit do të kenë efekte në çamçakëz dhe do ta bëjnë atë të forcohet. Kur të jetë forcuar çamçakëzi, e hiqni me thikë.
Lëngu i limonit
Limoni është magjik për shumë sëmundje dhe probleme tjera, por kush do të kishte menduar se e zgjidh edhe këtë problem mjaft të zakonshëm?
Rrobën e dëmtuar nga çamçakëzi e zhytni në një legen të mbushur me lëng limoni dhe pas disa minutave me thikë e hiqni çamçakëzin.
Për t’u siguruar se nuk do ta dëmtoni rrobën, sigurohuni që mos ta lini shumë gjatë atë të zhytur në lëngun e limonit. /Telegrafi/