Ju është sugjeruar ndonjëherë një ofertë pune dhe keni menduar: “Sa mirë do ishte sikur paga e fillimit të ishte e lartë?” Kur keni kohë që jeni të dëshpëruar për fillimin e një pune dhe ju shfaqet një variant, nga gëzimi shpesh herë e pranoni pa u menduar dy herë.
Edhe nëse paga nuk është ajo që prisnit, ju pranoni sepse e mendoni negocimin për një pagë më të lartë si një “tabu”, por kjo nuk është e vërtetë.
Një studim i kryer nga Michelle Marks of George Mason University dhe Crystal Harold i Temple University kanë kryer një vëzhgim në një kompani. Si pjesë e vëzhgimit ishin punëtorë dhe punët të ndryshme brenda kompanisë, nga ku u vu re se ata që negociojnë rrogën e tyre, paguhen mesatarisht 5000 dollarë më shumë në pagë vjetore.
Le të marrim rastin e dy personave që fillojnë punë në të njëjtën kohë. Të dyve ju ofrohet e njëjta pagë, por njëri e pranon e tjetri vendos të negociojë.
Nëse bëjmë një përllogaritje, duke menduar se të dy më pas do të marrin të njëjtën përqindje të rritjes së rrogës, rezulton se në një karrierë 40-vjecare, ai i cili filloi me një pagë më të lartë përfundon me një shumë parash të konsiderueshme.
1. Duhet të keni një arsye të vlefshme biznesi pse po kërkoni të paguheni më shumë
Ndërsa arsyet e vërteta pse doni që të paguheni me shumë janë personale, duhet të kuptoni që kompanisë nuk i intereson kjo gjë, derisa ju t’i tregoni që është në interesin e saj t’ju mbajë në punë e madje t’ju paguajë aq sa kërkoni.
Shembull: Një punonjëseje iu ofrua një punë e re me pagë shume më të ulët nga sa ajo kishte nevojë për t’ia dalë mbanë në fund të muajit. Ajo ishte shumë e zonja në punën e saj madje i pëlqente ajo punë por nuk mund të pranonte një punë e cila do e detyronte të punonte dhe në një punë tjetër për të nxjerrë të ardhura të mjaftueshme.
Kështu kontaktoi me menaxherin e punësimit dhe i tregoi se ajo dëshironte të ishte 110 % e angazhuar në kompani, por kjo ishte e pamundur sepse ajo do detyrohej ta mbaronte punën e saj sa më shpejt, me qëllim që të gjente kohë të mjaftueshme për të bërë një punë më kohë të pjesshme që të fitonte të ardhurat që i duheshin.
Menaxheri i punësimit pasi e dëgjoi ra dakord se ajo ishte një punonjëse me vlerë për kompaninë dhe vlerësoi ndershmërinë e saj, duke i bërë një rritje të konsiderueshme page.
2. Tregohuni mirënjohës si në fillim ashtu dhe në fund
Nëse merrni një ofertë pune e cila është zhgënjyese nga ana e pagesës, mos e tregoni zhgënjimin tuaj në fytyrë. Është e rëndësishme të tregoni se ju e shikoni veten si pjesë të kompanisë madje jeni entuziast për këtë vend pune, por është e nevojshme që të keni një pagë më të lartë për të përmbushur nevojat tuaja. Nëse nuk tregoni respekt dhe vlerësim për ofertën që në fillim kur dëgjoni pagën e ulët, do i humbisni shanset për t’u paguar më shumë.
3. Përgatituni për një “Jo”
Edhe pse mund të jeni shumë të vlefshëm për kompaninë madje dhe nëse keni një sjellje shumë të mirë përgatituni sepse mund të merrni një “Jo” si përgjigje. Realiteti është se jo të gjitha kompanitë mund të ofrojnë paga më të larta, por ka mënyra të ndryshme se si punëdhënësit mund të të ndihmojnë dhe kjo nuk ka të bëjë gjithmonë me pagën.
Shembull: Ka punë të caktuara të cilat mund të bëhen edhe nga shtëpia. Ju mund të negocioni me punëdhënësit që në fundjavë apo në rastet që e keni të pamundur të vini të punoni nga shtëpia. Ky është një lehtësim i cili shpeshherë është më i nevojshëm se sa të merrni më shumë para.
Nëse nuk bini në kompromis për një rritje page mund të gjeni mënyra të tjera alternative në mënyrë që dhe ju dhe shefi të jeni më komodë. /Telegrafi/