Site icon Telegrafi

Tri kabllo nën Detin e Kuq që ofrojnë internet dhe telekomunikacion global janë prerë – dyshohet se ishin objektiv i rebelëve Houthi

Tri kabllo nën Detin e Kuq që ofrojnë internet dhe telekomunikacion global janë prerë pasi rruga ujore mbetet një objektiv i rebelëve Houthi të Jemenit, thanë zyrtarët të hënën.

Ndërkohë, një sulm me raketa nga Houthi-t i vuri flakën një anijeje në Gjirin e Adenit, por nuk shkaktoi të lënduar, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ajo që preu linjat mbetet e paqartë.

Ka pasur shqetësime në lidhje me kabllot që janë shënjestruar në fushatën e Houthi-ve, të cilën rebelët e përshkruajnë si një përpjekje për të bërë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës së tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, Houthi-t kanë mohuar të kenë sulmuar linjat.

Ndërsa transporti global tashmë është ndërprerë përmes Detit të Kuq, një rrugë thelbësore për dërgesat e mallrave dhe energjisë nga Azia dhe Lindja e Mesme në Evropë, sabotimi i linjave të telekomunikacionit mund të përshkallëzojë më tej krizën disamujore.

Në fillim të shkurtit, qeveria e Jemenit e njohur ndërkombëtarisht në mërgim pretendoi se Houthi-t planifikonin të sulmonin kabllot.

Por nga ana e tyre, Houthi-t kanë mohuar se kanë shënjestruar kabllot. Rebelët fajësuan për ndërprerje operacionet ushtarake britanike dhe amerikane, por nuk ofruan prova për të mbështetur pretendimin dhe kanë bërë pretendime të rreme në të kaluarën. /Telegrafi/

Exit mobile version