Site icon Telegrafi

Tri gra vriten me thikë në një bordello të Vjenës, Austri – kapet e dyshuari, jepen detaje rreth ngjarjes

Një burrë është arrestuar pasi tri gra u vranë me thikë brenda një shtëpie publike në Vjenë të premten mbrëma.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një azilkërkues afgan 27-vjeçar është arrestuar nga policia pas sulmit në Asia Studio, në “lagjen e dritave të kuqe” të kryeqytetit austriak pranë lumit Danub.

Thuhet se ai kishte bredhur dhomë më dhomë për të kryer gjakderdhjen dhe tri viktimat u gjetën në pjesë të ndryshme të bordellos.

Policia lokale u thirr rreth orës 21:00 kur një kalimtar gjeti gjak jashtë shtëpisë publike dhe gjeti një grua të katërt brenda, e cila po merret në pyetje si dëshmitare.

Nuk dihet motivi i sulmuesit edhe pse policia e konfirmoi lajmin të shtunën.

Identiteti i tri viktimave nuk është bërë i ditur dhe trupat e tyre kishin “prerje dhe plagë me thikë”, tha zëdhënësi i policisë Philipp Hasslinger.

Një polic lokal tha: “Autori nuk është austriak. Fillimisht iu desh të trajtohej në spital sepse u vetëplagos gjatë kryerjes së krimit”.

“Ai më pas është dorëzuar në polici. Hetimet mbi sfondin e krimit janë duke vazhduar”. /Telegrafi/

Exit mobile version