Kjo fotomaratonë ka për qëllim që t’i aftësoj studentët që përmes këndvështrimit të tyre të arrijnë t’i identifikojnë fenomenet dhe proceset.
Avni Dalipi, koordinator i këtij projekti, tha për Telegrafin se fotomaratona është aktivitet që ka për qëllim angazhimin e pjesëmarrësve në projektet shoqërore e argëtuese, të cilat në fund nxjerrin përfundime mbi temat e caktuara.
Ai më tutje sqaroi se këto tema janë të natyrave të ndryshme, si problemore, sociale, mjedisore, arkitekturore etj. Studentët pjesëmarrës do të jenë nxitës të debateve për çështjet dhe fenomenet shoqërore. Karakteri i fotomaratonës është garues dhe argëtues.
Pas përfundimit të fotove, të hënën, në ambientet e UBT-së filloi prezantimi i temave përmes fotove, ku secili student pati mundësi ta komentojë punën e bërë. Ekspozitën e shpalli të hapur Lulzim Beqiri, dekan i fakultetit të arkitekturës në UBT, i cili foli për rëndësinë që ka për arkitekturën kjo mënyrë e analizës së qytetit.
Pos prezantimit me projektor të fotove dhe pjesëmarrësve, u hap edhe ekspozita “Tri foto – një mendim", me fotografitë e maratonës, ku secili pjesëmarrës u prezantua me tri fotografi – me nga një foto për çdo temë.
Nga ky aktivitet do të përzgjidhen tri punimet më të mira. Juria në përbërje të Barış Karamuço – kryetari i jurisë, njëherësh edhe profesor në UBT i lëndës Kamera dhe Fotografia; Ajhan Bajmaku – profesor i lëndës Kreativa në fakultetin e arkitekturës në UBT; dhe, Valmir Hoxha – profesor i 3D Dizajn, po ashtu në UBT, do të japin mendimin dhe vendimin e tyre në lidhje me foton fituese.
Përndryshe, UBT si një institucion i nivelit të lartë të arsimit nuk është hera e parë që organizon aktivitete ku studentët kanë mundësi t’i shprehin talentet e tyre.