Site icon Telegrafi

Tri fitore rresht për Interin, mposht Udinesen dhe ngjitet në krye

(Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Tri ndeshje, tri fitore – kjo është statistika e Interit në këtë fillimsezoni në Serie A. Zikaltrit fituan ndaj Udineses (1-0) në Giuseppe Meazza duke marrë kreun e tabelës.

Që në fillim të ndeshjes, Matteo Politano pati një shans shumë të mirë, mirëpo topi përfundoi duke e goditur shtyllën. Në vazhdim, një mundësi të mirë e pati Stefano Sensi, derisa në anën tjetër rrezikoi Walace.

Në minutën e 35-të, mysafirët mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi Rodrigo De Paul u përjashtua me karton të kuq, pasi gjyqtari Maurizio Mariani e konsultoi VAR-in.

(Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Kur po përfundonte pjesa e parë, Nerazzurrët e zhbllokuan rezultatin. Diego Godin harkoi në zonë, ndërsa Stefano Sensi realizoi me kokë (44′).

Roberto Gagliardini, Sensi e Alexis Sanchez patën rastet e tyre në pjesën e dytë, mirëpo ndeshja përfundoi me golin e vetëm të pjesës së parë.

Me këtë fitore, Interi është ngritur në kuotën e nëntë pikëve dhe qëndron në krye të tabelës me dy pikë më shumë se Juventusi që këtë javë barazoi ndaj Fiorentinas.

Udinese e ka fituar vetëm një ndeshje dhe dy të tjera i ka humbur, ashtu që ka vetëm tri pikë të grumbulluara deri më tani.

Interi luan kundër Milanit në javën e ardhshme, ndërsa Udine ka për kundërshtar Brescian. /Telegrafi/

https://youtu.be/QgdLt17Fsxg?t=141

Exit mobile version