Site icon Telegrafi

Tri elementet e dështimit

Mjafton një analizë e thjesht për të kuptuar se në ç’gjendje jemi dhe në cilat vija po lëvizë politika e Kosovës? Pas terrorit që ndodhi në familjen Haradinaj, me ç’rast vritet kryefamiljari Selver Haradinaj dhe plagosen fëmijët e tij, shihen një lëvizje e shqiptarëve që ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët me valixhe në dorë kalojnë lumin Ibër për të shkuar në pjesën jugore të qytetit.

Ky është njëri ndër qëllimet e qeverisë së Beogradit, i cili përmbushet me ndihmën e strukturave paralele në atë pjesë. Me këtë tentohet të bëhet spastrim i asaj pjese dhe krijimi i një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht plotësimi i njërës fazë: krijimi i kushteve parapolitike ku si pasojë vjen kërkesa për fillimin e bisedimeve politike për veriun, ku si palë në bisedime nuk do të jenë serbët e asaj pjese, po të vet Beogradi zyrtar.

Nëse shihet nga ky kënd, vërejmë qartë mbështetjen indirekte të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila me deklarata drejtuar institucioneve të Kosovës – ku kërkon vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në veri dhe ku i bën thirrje presidentit shqiptare Bamir Topi që të kërkojë nga OKB dhe NATO fillimin e dialogut për veriun – dëshmon edhe njëherë papjekurinë politike.

Arsyeja se pse këto kërkesa " qojnë ujë në mulli të huaj" është se në rast se shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe mblidhet OKB për të diskutuar për këtë pjese, automatikisht krijohen kushtet për bisedime politike dhe detyrimisht futet edhe Beogradi si palë. Me fjalë të tjera, pamundësohet implementimi i Pakos së Ahtisaarit.

Në anën tjetër kemi një Qeveri e cila e ka të pamundur intervenimin me forcë, ngase një gjë e tillë nuk i lejohet nga KFOR-i dhe EULX-i. Një bashkëveprim i koordinuar shihet se është i pamundur, sepse një vullnet i tillë mungon nga përgjegjësit kryesorë për sigurinë në atë pjesë. E, kur kësaj i shtohet një popull i “hipnotizuar”, i cili ka ndryshuar që pas përfundimit të luftës më 1999 e këtej, atëherë mund të themi se zgjidhja e vetme mbetet mbështetja e deklaratës së kryetarit të komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili bën thirrje qytetarëve për mbrojtjen e pragut të shtëpisë.

Këtu shohim një Qeveri dhe një ministri të Brendshme, e cila pos deklaratave pompoze të herëpashershme, nuk është e aftë të ndërmarrë diçka serioze pa "aminin" e faktorit ndërkombëtar. Kjo i pamundësohet edhe atëherë kur i vriten qytetarët e sajë.

Një ministër "kirurg", nuk është mësuar të operojë pa anestezion, edhe në rast se intervenimi duhet bërë pa të. Është e ditur që një intervenim pa anestezion ka dhimbjet e veta, po në rast se është i detyrueshëm, duhet të ndodhë sepse pritjet e tepërta mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit.

“Kirugu" e ka parasysh një gjë të tillë, por ja që duhet t’i jepet një përgjigje këtij populli, pse jo edhe përgjigje të tipit të Kastratit, e jo vetëm fjalë boshe të cilat tash e trembëdhjetë vite po i dëgjojnë.

Në rast se ne jemi të gatshëm të bëjmë lëshime edhe me pranimin e fusnotës, duhet të ketë një mirëkuptim për ruajtjen e miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellët. Ne gjithashtu jemi dëshmitarë të ngjarjeve të mëhershme, deri tek këto të fundit. Ne pamë gjithashtu një deklaratë të menjëhershme të Robert Cooperit, i cili pati dënuar gjuajtjen me gur të delegacionit serb në Prishtinë, teksa nuk e pamë atë të ketë reaguar tani kur ndodhi vrasja e Selver Haradinajt.

Pra, kemi të bëjmë me një Qeveri pa mundësi dhe pa seriozitet, dhe një bashkësi ndërkombëtare pa vullnet dhe njëanshmëri.

Ministri Rexhepi nuk ka nevojë të jap dorëheqje. Ai thjeshtë duhet të dërgojë njësitë speciale në pjesën veriore të qytetit, të marrë kontrollin mbi atë pjesë dhe këtë ta bëjë pa dijeninë e askujt, ne orët e hershme të mëngjesit. Ky plan do të nënkuptonte përshëndetjen e tij nga politika, si pasojë e mungesës së bashkëveprim me institucionet ndërkombëtare. Po, ç’rëndësi ka nëse do të jetë apo jo Rexhepi në politikë!? E rëndësishme është shtrirja e rendit dhe ligjit mbi atë pjesë.

Nga një Qeveri pa sens dhe me përbërjen që ka, realisht nuk duhet pritur më tepër, sidomos kur flitet për një problem siç është problemi i veriut të Mitrovicës. Një Qeveri magjistarësh që në mënyrë perfekte arrin me e hipnotizua pjesën më të madhe të popullit, i cili nuk e sheh të arsyeshme me protestua edhe atëherë kur përqindja e varfërisë prek majat, kur ka një sistem shëndetësor në gjendje të mjerueshme, kur vendi i tij renditet në vendet më të korruptuara në botë… na bënë të themi se këtij populli i ka humb sensi i solidarizimit edhe kur ia arrestojnë e ia vrasin bijtë e tij.

E keqja e kësaj pune është edhe roli i partive opozitare, të cilat të paktën në interesin e përbashkët të jenë të matur në deklaratat e tyre. Sepse, në rast se kemi të bëjmë me një sukses kolektiv, edhe meritat do të jenë kolektive. Por, në rast të një dështimi edhe faji do të mbetet kolektiv.

Askush nuk pretendoj një opozitë pa fjalë, por një opozitë ku kritikat do të ishin në interes të përgjithshëm, e jo për konto partiake. Kemi një LDK dhe një AAK të cilat nuk kanë guxim të japin as deklarata të fuqishme, dhe ato që i bëjnë janë sa për ta kryer një obligim opozitar i cili i përshtatet partisë në pushtet.

Kjo vjen si pasojë e frikës së një intervenimi të mundshëm nga "i madhi Dell”, apo ndonjë zyrtari tjetër amerikan i cili si rrjedhojë do t’ua kishte vështirësuar ardhjen në pushtet. Derisa kemi një LDK dhe një AAK me vdekje klinike, shohim Lëvizjen Vetëvendosje e cila është më aktive sa i përket deklaratave mediatike, dhe protestave. Por, edhe këto thjeshtë janë veprime të thata dhe shpesh herë për interes partiak, ndaj kjo Lëvizje po na i humb shpresat, sepse nuk ka diçka tjetër pos përpjekjeve për pushtet.

Vendi ka nevoje për thirrjen e ndërgjegjes kolektive, për hir te atyre djemve që kanë rënë për këtë shtet të nëmur të quajtur Kosovë!

 

 

Exit mobile version