Telegrafi

Tri ditë takime në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arrijnë progres për dialogun

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, pas tri ditë diskutimesh në Bruksel nuk kanë arritur asnjë marrëveshje sa i përket procesit të dialogut.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë të lëshuar sot nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Në këtë komunikatë u tha se kryenegociatorët nga Beogradi dhe Prishtina, Marko Gjuriq dhe Avni Arifi, së bashku me ekipet e tyre përkatëse, u takuan në Bruksel nga data 19 deri më 21 mars. Ata ndoqën diskutimet e tyre të mëparshme mbi zbatimin e pazgjidhur të marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndërmjet dy palëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në veçanti marrëveshjet mbi Shoqatën / Komunitetin e Komunave me shumicë serbe, Energjinë, Urën e Mitrovicës, MIK dhe Lirinë e Lëvizjes .

“Ndërsa diskutimet ishin të plota, asnjë përparim i mëtejshëm nuk u arrit. BE u bën thirrje të dyja palëve që të intensifikojnë përpjekjet e tyre mbi punën e zbatimit, duke kujtuar se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve është një element kyç në rrugët e tyre evropiane përkatëse”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/