Site icon Telegrafi

Tri ditë pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë, Mali i Zi sot vendos për shkarkimin ose jo të kryetarit të Kuvendit

Tri ditë pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi, Kuvendi i këtij shteti vendos të hënën, 7 shkurt, përmes një seance të jashtëzakonshme, për shkarkimin e kryetarit të këtij institucioni, Aleksa Beçiq.

Beçiq është lider i Partisë Demokrate, deputetët e së cilës kanë qenë kundër rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit.

Nismën për këtë shkarkim e kanë nënshkruar 38 deputetë të opozitës nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit aktual Milo Gjukanoviq, si dhe të dy partive të socialdemokratëve, Partisë Boshnjake dhe Koalicionit Shqiptar – Njëzëri.

Në shpjegim është thënë se Kuvendi, për shkak të mungesës së dialogut esencial, nuk ka çuar në përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi, sepse, siç theksohet, Beçiq, “funksionin e tij e ka kryer në interes të promovimit partiak dhe personal dhe jo në interes të shtetit”.

Që të largohet Beçiq, opozita ka nevojë për mbështetjen e Lëvizjes Qytetare URA të Dritan Abazoviqit.

Pjesa tjetër e shumicës parlamentare, 37 deputetë nga Fronti Demokratik dhe disa parti më të vogla nga ajo aleancë kanë deklaruar se nuk do të votojnë për largimin e kreut të Kuvendit.

Aleanca prej tre anëtarësh – Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA – ka qeverisur nga gushti i vitit 2020, kur partitë kanë fituar një shumicë të vogël, 41 nga 81 deputetë sa janë në Kuvend, duke rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), të udhëhequr nga Millo Gjukanoviq.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit, e cila është zgjedhur pas atyre zgjedhjeve, është shkarkuar të premten, më 4 shkurt, me votat e opozitës dhe Lëvizjes Qytetare URA.

Prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.

Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.

Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme. /rel/

Exit mobile version