Ka tri ditë që Bekim Muriqi nga Prizreni, është duke mbajtur grevë urie para doganës së Kosovës. Kjo, pasi që siç thotë ai që disa herë është duke ju mbivlerësuar malli nga ana e doganës në sektorin e vlerësimit .
Muriqi, ka një biznes të vogël privat që merret me autopjesë dhe herën e fundit kur i ka ardhur malli në doganë si edhe herëve tjera atij i është rritur vlera e mallit.
Ai thotë se i ka të gjitha dokumentet në rregull por që në doganë nuk po ja marrin parasysh faturat e tij dhe se po i bëjnë vlerësim sipas tekeve të tyre.
“Gjithë mi kanë mbivlerësuar po ashtu më thoshin që ka hyp vlera e mbivlerësimi, unë e di që në një shtet ligjor nga parlamenti kur të del 10% apo 16 % ato duhet të vlerësohen në bazë të faturës. Por nëse dyshohet fatura, nuk është dogana e vlerësimit që bën ekspertizën në mallin tim… nëse kapem në flagrancë unë prapë po them e pranoj gjobën”, tha Muriqi.
Ai, po ashtu i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Tregtisë që të kenë parasysh kërkesën e tij dhe të venë drejtësi.
“Unë nuk kam dalur të kërkoj ndihmë, nuk kam dalur që të kërkoj mëshirë, por kam dalur të mbroj të drejtën time, djersën, mundin, pasurinë time, bukën time të gojës dhe të familjes dhe të drejtën e biznesit tim personal që më takon mua ligjërisht si qytetar i Kosovës. Nuk po kërkoj as më pak dhe nuk pranoj as më tepër jashtë ligjit”, tha ai.
Por, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës ka thënë se një gjë e tillë është bërë për shkak se ata besojnë që deklarimin të cilën e ka bërë personi në fjalë nuk përputhet me vlerat e tregut të cilat i ka brenda malli.
“Kompania e tij e ka bërë një import të shtunën e kaluar dhe atij ju ka rritur baza doganore, faktikisht baza në të cilën kalkulohen tatimet, dhe normalisht kompania nuk është pajtuar se thotë se ka dokumente të mjaftueshme që me ju pranuar vlera që ai e ka deklaruar. Normalisht ky quhet një kontekst vlerësues në mes të doganës dhe kompanisë. I kemi thënë që sa më shpejt që është e mundur do t’ia ofrojmë një përgjigje me shkrim”, tha Stavileci. /kp/