Site icon Telegrafi

Tri dekada në hijen e katastrofës më të madhe nukleare: Banori i fundit i Çernobilit (Foto/Video)

Nëntëdhjetë vjeçari Ivan Shamyanok, thotë se sekreti i jetëgjatësisë nuk qëndron tek fakti se patjetër duhet braktisur vendlindjen, madje edhe atëherë kur fshati i tij në Bjellorusi u helmua nga rrezet radioaktive si pasojë e një katastrofe bërthamore.

Asgjë në fshatin e tij nuk ka ndryshuar gjatë 30 viteve të fundit, pavarësisht faktit se shumë pak njerëz jetojnë në atë zonë, e cila është buzë zonës së kufizimit prej 1.000 milje katrorë përreth centralit bërthamor, transmeton Telegrafi.

Më 26 prill të vitit 1986, një test i dështuar në centralin bërthamor në Çernobil, Ukrainë, pastaj përmes republikës Sovjetike, dërgoi re të materialit bërthamor nëpër ngastra të Evropës, duke detyruar kështu më shumë se 100.000 njerëz të braktisin zonën e “kufizimit” të kontaminimit, që shtrihet përgjatë gjithë kufirit Ukrainë-Bjellorusi.

Fshati i Shamyanok, Tulgovichi është buzë kësaj zone, që shtrihet në 2.600 kilometra katrorë, që i bie të jetë afërsisht me madhësinë e Luksemburgut. Por ai dhe gruaja e tij nuk kishin pranuar ofertën e autoriteteve për t’u zhvendosur, dhe deri më sot nuk ka ndjerë ndonjë efekt të keq nga rrezatimi.

“Deri më tani, gjithçka është në rregull. Mjekët ishin dje për vizitë, më vendosën në shtrat dhe më kontrolluan shtypjen e gjakut. Ata më thanë “gjithçka është në rregull me ty gjyshi”, thotë Shamyanok.

“Edhe motra ime ka jetuar këtu me burrin e saj. Por ata vendosen të largohen dhe brenda një kohe të shkurtë vdiqën. Ata vdiqën nga ankthi. Unë nuk jam aspak i shqetësuar, madje këndojë çdo ditë sa herë që dal në oborr, pasi që i marr gjërat shtruar”, thotë ai.

Shamyanok thotë se jeta nuk ka ndryshuar shumë pas shpërthimit të Çernobilit, fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë. Ai dhe familja e tij vazhduan të hanë perime dhe fruta të mbjellë në oborrin e shtëpisë së tyre, në të cilën gjithashtu mban lopë, derra dhe pula.

Tani që gruaja e tij ka vdekur dhe fëmijët janë larguar, ai dhe nipi i tij që jeton në anën tjetër të fshatit, janë të vetmit njerëz që kanë mbetur në këtë fshat.

“A do të kthehen njerëzit nëpër shtëpitë e tyre? Jo, ata nuk do të kthehen. Ata që kanë dashur tashmë kanë vdekur”, thotë ai.

Shamyanok bën një jetë të qetë. Ai zgjohet në ora 6 të mëngjesit kur himni kombëtar lëshohet në radio, ndez shporetin për të ngrohur mëngjesin e tij dhe ushqen derrat dhe qenin.

Një dyqan mobil vepron brenda një veture që e viziton fshatin dy herë në javë, derisa mbesa e tij Shaman vjen çdo të shtunë për t’i pastruar shtëpinë dhe përgatitur ushqimin për një javë.

Ai thotë se nuk ka kurrfarë probleme shëndetësore, por nganjëherë merr ilaçe për shkak të konsumimit të vodkës para ushqimit, që sipas tij i “ndihmon në oreks”. /Telegrafi/

Exit mobile version