Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi sot se heqja e ligjit të luftës do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet mes Greqinë. Deklarata e kryediplomatit shqiptar u bë në komisionin për punët e Jashtme raportoi sot mbi vizitën e tij në vendin helen.
Bushati tha se marrëdhënia me Greqinë kushtëzohet nga tre elementë kryesorë. Bushati shtoi se pjesë e qenësishme e ligjit të luftës lidhet dhe me çështjen çame, një çështje të diskutuar tej mase nga pala shqiptare.
“Çështja çame për herë të parë ka dal në skenë në vitin 1991, u diskutua deri në 1993, pastaj fjeti deri në 2000. U rihap në atë kohë nga kryeministri Meta, pastaj u rikthye në vëmendjen në vitin 2013 si një çështje kryesore e programit qeverisës. Bisedimet tona me Greqinë janë të ndara me tre pjesë. Së pari, Lufta e Dytë Botërore. Heqja e ligjit të luftës që ka jo vetëm efekte politike por edhe ligjore, pasi mban të bllokuar pronat e shqiptarëve të Çamërisë. Tek kjo ndarje kemi listuar çështjen çame”, tha ministri Bushati.
Elementi i dytë nga ku kushtëzohet marrëdhënia me vendin helen, lidhet me minoritetin grek në vendin tonë, por dhe atë shqiptarë matanë kufijve. “Në këtë drejtim, pala shqiptare ka garantuar të gjitha kushtet, që minoriteti grek në vendin tonë të jetë plotësisht i integruar. Ne kërkojmë të njëjtën gjë nga pala greke”, u shpreh Bushati.
Elementi i tretë lidhet me marrëveshjen detare, atë të sigurimeve shoqërore, por dhe njohjes së lejes së drejtimit shqiptarë nga pala greke. Bushati u shpreh se në këtë drejtim janë bërë hapa përpara, por ky ngërç nuk lidhet me faktin se përballë tryezës është Greqia. /Telegrafi/