Telegrafi

Treshja finalizon raportin, të premten i dorëzohet Ban Ki Moonit

“Sipas mendimit tim, ky është një dokument neutral. Llogarisim që Këshilli i Sigurimit i OKB-së në mënyrë objektive të analizojë atë dhe mbi këtë bazë të zhvillojë diskutim objektiv”, i ka thënë Kharchenko agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti.

Sipas tij, raporti përmban përmbledhje faktesh për punën e Treshes dhe asaj që është diskutuar gjatë bisedimeve, si edhe qëndrimet e të dyja palëve. “Pa marrë parasysh kundërthëniet, të cilat do të vazhdojnë të mbesin të tilla edhe në diskutimet e ardhshme për statusin, ne në Treshe jemi munduar të punonim në një linjë, të veçonim atë që ishte më e rëndësishme dhe e përbashkët për të gjithë”, ka theksuar Kharchenko, duke shtuar se të tre anëtarët e Treshes janë pajtuar me këtë tekst.

Raporti do të diskutohet më 19 dhjetor në Këshillin e Sigurimit, dhe më pas pritet që ambasadorët e 15 vendeve të këtij organi të kenë një takim të veçantë edhe me Ban Ki Moon-in.

Kosova do të jetë në agjendë të Këshillit të Sigurimit edhe një herë tjetër brenda këtij viti, kur të paraqesë raportin e tij të rregullt shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. /ktv/