Deri tani Trepça‘89 ishte një nga skuadrat që shpenzonte më së shumti në futbollin kosovar duke sjellë emra nga më të njohurit të futbollit kosovar në “Riza Lushta”. Por, tash e tutje ’89-shi do të fokusohet tërësisht në gjeneratat e reja, të cilat shihen si e ardhmja e ekipit.
“Pas përfundimit të stinorit vjeshtor ne jemi mbledhur dhe kemi biseduar të gjithë se bashku duke vendosur që tash e tutje të ndërrojmë strategji.
Unë gjithmonë kam qenë shtytës i idesë se duhet të shfrytëzojmë të rinjtë dhe potencialin e tyre dhe këtë do ta bëjmë tash e tutje.
Trepça‘89 ka bërë shumë përforcime në fillim të sezonit, por shumica e tyre kanë qenë të gabuara.
Kanë tentuar të sjellin emra të mëdhenj ndërsa kanë përfunduar duke transferuar lojtar të lënduar, si Kastriot Rexha dhe lojtar të harxhuar, si Shpëtim Babaj,” ka thënë kryetrajneri i Trepçës’89, Fahredin Duraku.
Ai më tutje ka shtuar se duhet t’u përmirësohen kushtet futbollistëve aktual sidomos gjeneratave të reja dhe jo të shpenzohet kot në lojtar të harxhuar siç ishte bërë deri më tashti.
“Ne duhet të ndjekim një politikë krejtësisht ndryshe nga ajo që është bërë deri më tani.
Duhet të krijohen kushte më të mira për lojtarët dhe stafin teknik në mënyrë që të punojnë maksimalisht për të arritur sukses.
Kryesia e klubit do të duhej të kishte si shembull edhe skuadrat e mëdha, siç është Arsenali, të cilët prodhojnë talent çdo vit duke përfituar si në cilësi ashtu edhe financiarisht” ka shtuar Duraku.
Edhe Abedin Zeka, kryetar i Trepçës ‘89 nuk e ka idenë se si ta gjejnë formulën e suksesit, por megjithatë ai ka pohuar se ’89-shi çdo vit do të ketë synim titullin.
“Këtë vit u munduam të sjellim emra të mëdhenj duke krijuar një ekip yjesh, por doli të ketë qenë vendim i gabuar.
Futbollistët filluan me kritika ndaj trajnerëve dhe ne ndërruam disa herë trajnerin, por megjithatë më vonë e kuptuam se nuk ishte faji i trajnerit. Në si kryesi kemi mbetur pa koment.
Thënë thjesht, s’po dimë se si ta gjejmë formulën e suksesit pasi që deri tani i kemi provuar thuajse të gjitha” ka thënë Zeka.
Ai po ashtu ka folur në lidhje me projektin që kanë së bashku me trajnerin Duraku për avancimin e gjeneratave të reja.
“Tash e tutje do të fokusohemi më shumë në lojtar të akademisë pasi që kemi një gjeneratë mjaft premtuese. Për këtë arsye, jemi duke punuar intensivisht me gjeneratat e reja të cilët nuk do të kenë fare pushim. Sigurisht se do të bëjmë edhe 2-3 përforcime por edhe ata do të jenë nën moshën 25 vjeç.
Kështu, sipas planit, çdo vit do të kemi 3-4 futbollistë junior që do të kalojnë në ekipin e parë” ka përfunduar Zeka, duke pohuar se këtë vit titulli mbetet vetëm ëndërr derisa synim kanë ta përfundojnë kampionatin në top katërshe. /Zëri/Telegrafi/