“Ata kanë shkuar, pasi nuk na kanë lënë asnjëri mbresa. As lojtarët e huaj e as trajneri, i cili për dallim nga hera e kaluar, kur e ka udhëhequr ekipin tonë, këtë radhë nuk ka ditur ta komponojë ekipin dhe ka qenë ndoshta pika më e dobët e jona”, deklaroi për Express drejtori i klubit mitrovicas, Naim Hajrizi.
Ai insiston se sezonin e ardhshëm, gjelbër e zinjtë do t’ua japin rastin basketbollistëve vendorë, por nuk do t’i lënë anash as përforcimet nga jashtë.
“Do ta bëjmë një riorganizim, presim të kemi kushte më të mira sezonin e ardhshëm. Do të punojmë me të rinj, do t’ua japim rastin edhe atyre gjithsesi, pasi që brumin veç e kemi me Drilon Hajrizin e të tjerët. Do të koncentrohemi më shumë tek lojtarët vendorë, duke e ndërruar gjeneratën. Për dallim nga ky sezon, nuk do të bëjmë shpenzime të kota”, vazhdoi ish basketbollisti i njohur kosovar.
Në fund, zyrtari i lartë i Trepçës e pranoi se ky ekip nga sezoni tjetër mund të drejtohet nga trajneri kosovar Besart Kelmendi, i cili ishte pjesë e mitrovicasve më parë, por që për momentin po shkollohet në Gjermani. /Telegrafi/