Site icon Telegrafi

“Trepça” thyen rekordin e prodhimit

Minatorët e “Trepçës” këtë vit kanë thyer rekord të nxjerrjes së minerareve nga dy minierat e kësaj ndërmarrjeje. Kështu ka njoftuar menaxheri i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, gjatë konferencës për media të premten në Mitrovicë.

Ai ka folur për rezultatet që ka arritur ndërmarrja gjatë këtij viti, por edhe për planet dhe projektet e menaxhmentit për të ardhmen e këtij gjiganti industrial.

Tmava ka vlerësuar se falë angazhimit të minatorëve, ky vit ishte rekord që nga paslufta i prodhimit si për sasinë e xehes së eksploatuar, ashtu edhe për prodhimin e koncentratit.

Ai ka thënë se këtë vit prodhimi i xehes dhe koncentratit ka shënuar rritje për 20% në të dy minierat, në Stan Tërg dhe Artanë.

“Prodhimi i koncentratit këtë vit ka qenë 18 mijë tonë, përderisa vitin e kaluar ishin 15 mijë tonë. Ndërkaq, prodhimi i xehes këtë vit ka qenë 204 mijë tonë, ndërkaq vitin e kaluar ishte 186 mijë tonë”, ka thënë Tmava.

Ai ka thënë se si rezultat i rritjes së prodhimit, janë rritur edhe të hyrat e ndërmarrjes. Tmava ka njoftuar se të hyrat këtë vit janë afër 13 milionë euro, përderisa vitin e kaluar ishin 10 milionë e 500 mijë euro.

“Me këtë angazhim kemi dashur të tregojmë dhe të dëshmojmë se si duhet të jetë statusi i Trepçës, ‘Trepça’ në asnjë mënyrë nuk mund të privatizohet, Trepça të jetë një ndërmarrje publike me një status të veçantë duke na dhënë hapësirë investimeve dhe zhvillimit. Pritjet e qytetarëve nga Trepça për zhvillim ne obligohemi se si t’i bëjmë realitet”, ka thënë Tmava.

Megjithatë, ai ka shprehur besimin në gatishmërinë e institucioneve qendrore në definimin e statusit të “Trepçës” sa më parë që është e mundur.

“Çdo ditë e humbur është humbje për ekonominë e Kosovës. Ne si ‘Trepçë’ do te jemi bartëse te aktiviteteve minerare dhe zhvillimore”, ka thënë Tmava. /Tribuna/

Exit mobile version