Telegrafi

Trepça shqetësim edhe i deputetëve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata nga opozita shfrytëzuan seancën e sotme për të akuzuar ekzekutivin e vendit rreth zgjedhjes së problemit të Trepçës. Ata nuk hezituan ta akuzojnë kryeministrin Isa Mustafa se po bënë pazare me serbët.

Shefi i grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje , Visar Ymeri, ka thënë se për Trepçën si Lista serbe ka filluar të mendojnë edhe LDK e PDK. “ Si Lista serbe filluan të mendojnë edhe PDK-dhe LDK. Qeveria dhe deputetët e saj na thanë që kjo nuk është rruga dhe u tërhoqën dhe me këtë tërheqje në mënyrë indirekte thanë se Trepça nuk do të vendoset në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mirë qenies së qytetarëve por në funksion të negociatave me Serbinë ashtu siç kërkoj Beogradi sepse kështu sipas tyre po u shpëtojka Trepça fillimisht me zgjatjen e afatit për riorganizimin dhe likuidimin e saj”, ka thënë Ymeri.

Ai po ashtu ka thënë se qeveria duhet që domosdoshmërish ta shpallë Trepçën ndërmarrje publike në mënyrë që pastaj si shtet të përballemi me çfarëdo pretendime dhe të punojmë në mënyrë që këto pretendime mos të shndërrohen në detyrime.

Po ashtu, kritika kishte edhe Palë Lekaj në emër të Grupit Parlamentar nga AAK-ja tha se mënyra e tërheqjes së ligjit për Trepçën është e papranueshme. ”Të hiqet një ligj që kemi qenë që të gjithë unanim është diçka apsurde dhe të mbetet në ndërgjegjen e gjithë atyre që mendojnë kështu. Ajo që tani është kontabanduar nga kjo Qeveri është edhe më e keqe thuaj se po duan të fillojnë procedurën për ndryshimin e ligjit për Ndërmarrje Publike…Lexojeni nenin 11. 3 ku për Trepçën e shndërron në ndërmarrje komunale, ku Trepçën e bënë pazare të komunave gjegjëse në territorin të cilën gjendet njësitë përkatëse të Trepçës. A nuk është kjo propagandë, a nuk është ky mashtrim, a nuk është kjo dallavere e Qeverisë”, ka thënë Lekaj.

Ai po ashtu është lutur që çështja e Trepçës të shëndrrohet me një tragjedi që askush nuk e do.

Ndërsa, Muhamet Mustafa nga LDK, Trepçën e ka quajtur një çështje me komplekse të veçanta. “Është ë vërtet që Trepça është një çështje shumë komplekse dhe është e vërtet që në fillim të këtij sesion edhe qeveria edhe ne jemi përballur me një situatë komplekse dhe të ndërlikuar të cilin duhet ta menaxhojmë gjithsesi në drejtimin e duhur. Me këtë rast në emër të grupit dëshiroj të përshëndes vendimin e minatorëve që të dalin nga zgafella dhe që me anë të një dialogu të argumentuar të gjejnë zgjidhjet e duhura të cilat nuk mund të bëhen brenda 24 orëve, as për një kohë”, ka thënë Mustafa.

Ai po ashtu ka thënë se duhet një kohë reale që këto t’i adresojmë në mënyrën e duhur sepse fatkeqësisht në këto 15 vjet nuk janë adresuar siç duhet. Sipas tij, çështja e kredive përbën shqetësim edhe ata por edhe Qeveria nuk mund të thotë se do t’i pranoj apo nuk do ti pranojë kreditë. Sipas Mustafës, ajo çka mund të bëhet për kreditë është që qeveria të siguroj një legjilacion të mirë dhe kualitativ dhe gjyqësori duhet ta zbatojë atë legjislacion me të cilin kreditë e arsyeshme të aprovohen në procedurë gjyqësore. /Telegrafi/