Telegrafi

Trepça pa licencë, mijëra punëtorë rrezikojnë të mbesin pa vende pune

Si pasoj e mosekzistimit të kuorumit të Bordit KPMM-së kanë pësuar dhe janë duke pritur licenca 90 kompani e bashkë me to edhe qindra punëtorë. E që sipas të dhënave të KPMM-së, pa licenca janë 40 kompani për licenca të hulumtimit, 19 kompani për licenca të shfrytëzimit dhe 31 kompani për leje të veçanta të makinerisë.

Mungesa e funksionimit të institucioneve të shtetit është duke e dëmtuar shtetin dhe biznesin, si në atë publik, po ashtu edhe privat dhe duke rrezikuar dhe lenë qindra e mijëra vende pa punë. Dy gjigantët metalurgjik “Trepça” dhe “Ferronikeli” janë duke ushtruar veprimtarinë kundërligjshëm. Kjo për shkak se iu është skaduar licenca e veprimtarisë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Gjithashtu, edhe shumë kompani të tjera janë duke u dëmtuar dhe dëmtuar buxhetin e kompanive dhe të shtetit me miliona euro si pasoj e skadimit apo pamundësisë së vazhdimit të licencimit nga ana e KPMM-së, pasi që ky institucion nuk ka mundësi të iu vazhdojë licencat për shkak se qeveria ende nuk e ka kompletuar bordin.
Qeveria ka shpallë konkurs për ketë bord por vetëm konkursi zgjatë 1 muaj, pastaj vjen përzgjedhja dhe votimi në parlament që kjo nuk pritet të përfundojë edhe disa muaj.

Bejta Commerc ka disa muaj që i ka larguar dhjetëra punëtorë nga puna për mungesë licence. Ferronikeli ka kërcënuar me largim të 1700 punëtorëve në rast se nuk i lejohet të punojë pa licencë, ndërsa me 24 janar të këtij viti i ka skaduar licenca e shfrytëzimit “Trepçës”, në Stanterg, ku rrezikohen me mijëra vende pune, bëjnë të ditur burimet e KosovaPress-it.

Për këtë veprimtari kundërligjore është në dijeni edhe kryeinspektori për miniera në KPMM por që sipas tij nuk mund t’i mbyllin për shkak se mijëra punëtorë mbesin pa punë.

Kryeinspektori i minierave në KPMM, Jahir Gashi, ka thënë për KosovaPress se rreptësishtë ndalohet veprimtaria e tyre pa licencë, mirëpo nuk mund t’i ndalojnë veprimtarinë pasi që do të bëhej përmbytje në minierat e Trepçës nëse do të u mbyllet veprimtaria. Ai po ashtu ka thënë se për këtë problematikë janë njoftuar edhe instancat më të larta dhe janë në pritje të zgjedhjes së anëtarëve të bordit të ri në KPMM.

“Rreptësishtë iu ndalohet veprimtaria pa licenca, mirëpo a duhet të lejohet me u përmbyt me ujë e me e mbyllë Trepçën, Trepça i ka specifikat e veta do të thotë nëse ne duam për me mbyllë duhet me e ndalë stacionin e pompave dhe për 24 orë minierat përmbyten”, ka thënë Gashi për KosovaPress.

Ndryshe, javë më parë, kryetari i komisionit për zhvillim ekonomik, Muhamet Mustafa, ka thënë për KosovaPress se është i njoftuar për këtë çështje dhe se sipas tij me urgjencë do të i procedojnë propozimet që do të iu vijnë nga qeveria. /Telegrafi/