Tradita është ajo që e bën të veten, dhe në çfarëdo pozitë që janë ato në tabelë, ndeshja ngjall kërshërinë. Prishtina në Mitrovicë udhëton për ta fuqizuar luftën për titull dhe njëherësh për ta thyer traditën jo të mirë që ka, derisa Trepça nismën e ka të keqe dhe do të tentojë që pikërisht ndaj skuadrës më të madhe në vend ta kërkojë këndelljen.
Tekniku i Prishtinës, Afrim Tovërlani, ka thënë se pavarësisht pozitës që gjendet Trepça, ata nuk do të neglizhojnë por do të udhëtojnë për fitore. “Udhëtojmë të gatshëm dhe të përgatitur për lojë të hapur dhe kur e them këtë nënkupton që shkojmë për fitore. E dimë që Trepça është në pozitë të palakmueshme, por është problem i tyre, megjithëse akoma është herët. Nuk është ndeshje vendimtare, por është ndeshje e rëndësishme për të dy palët dhe ai që është më i mirë le të fitojë”, tha Tovërlani, duke njoftuar se në këtë ndeshje nuk mund të llogarisë në Liridon Latifin e lënduar dhe Berat Ahmetin që i është bashkuar kombëtares shqiptare U-19. I bindur në sukses është edhe gardiani i Prishtinës, Kushtrim Mushica. Sipas tij, vetëm fitorja kënaq apetitet e ekipit.
“Çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk na kënaq. Neve s’na interesojnë edhe aq rrethanat në të cilat kalon kundërshtari dhe pozitën në të cilën gjenden. Jemi të vetëdijshëm se përballemi me kundërshtar që dominojnë me përvojën e tyre dhe që e njohin mirë Superligën. Besoj që në Mitrovicë do të kalojmë mirë”, tha Mushica.
Në anën tjetër Trepça është mobilizuar maksimalisht para përballjes me bardhekaltërit, sikur edhe herave të kaluara. Sulmuesi i “xehetarëve” Florent Sejdiu e ka parasysh forcën bardhekaltër, por ata do të gjejnë mënyrën për t’i mposhtur. “Prishtina nuk ka traditë në Mitrovicë, por këto statistika nuk na interesojnë neve, sepse e dimë se Prishtina ka një ekip shumë të fortë. Frikë nuk kemi as nga Prishtina as nga asnjë ekip tjetër. Ne nga ndeshja e parë po luajmë mirë por fati në disa takime na e ka kthyer shpinën dhe shpresojmë se këtë herë do të kemi më shumë fat”, tha Sejdiu.
Përveç kësaj ndeshje sot zhvillohen edhe katër takime tjera të kësaj jave. Besa në fushën e vet e pret Fushë Kosovën. Drenica do të ketë një përballje shumë të vështirë ku ndeshet me Ferizajn që po lufton për kreun e tabelës. Fitorja është alternativë e të dyja ekipeve, kështu që edhe më të drejtë kjo ndeshje llogaritet si joshëse. Një takim interesant pritet të jetë edhe ai ndërmjet Hajvalisë e Hysit. /Zëri/Telegrafi/
Superliga – java 7
E martë
Llamkos Kosova – Ferronikeli 3-0
E mërkurë
Besa – Fushë Kosova
Trepça – Prishtina
Drenica – Ferizaj
Hajvalia – Hysi
E enjte
Drita – Trepça’89