Telegrafi

Trepça nga sot pa licencë, menaxhmenti hesht e deputetët nisen për Beograd

Edhe pse menaxhmenti i Trepçës disa herë ka thënë se kësaj ndërmarrje i ka skaduar licenca, kjo ishte demantuar nga mediat dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Menaxhmenti po vazhdon të thotë se licenca e Trepçës ka skaduar me 24 janar, mirëpo, sipas Ligjit për miniera dhe minerale, Trepçës i skaduar licenca tek sot, pasi që neni 36, pika 4 e Ligjit për Miniera dhe Minerale mundëson në rrethana të veçanta vazhdimin e periudhën në fjalë për një afat shtesë prej tre muajsh.

Sot ishte dita e fundit e licencës së Trepçës dhe vazhdimi i saj për momentin është i pamundur, pasi që nuk është konstituuar Bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, transmeton Veriu.info.

Në vend që sot Kuvendi i Kosovës të mbante një seancë të jashtëzakonshme të zgjidhje anëtarët për Bordin e KPMM-së, në mënyrë që t’i vazhdohej licenca Trepçës, sot katërmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Kosovës udhëtojnë sot për në Beograd, për të marrë pjesë në forumin e organizuar nga “Council for Inclusive Govermance” (CIG).

Ndaj kësaj situate të krijuar ka reaguar sot deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, i cili ka treguar se tek sot Trepçës i skadon licenca.

“Sipas Ligjit për miniera dhe minerale, Trepçës i skadon licenca me 24 Prill 2015! Është shqetësuese se si u neglizhua konstituimi i Bordit te KPMM. Opozita braktisi seancën e fundit dhe u tregua e papërgjegjshme karshi gjigantit metalurgjik të Trepçës, por edhe koalicioni i “madh” nuk ishte ne nivelin e përgjegjësive sepse u pamundësua votimi i Bordit të KPMM-së i cili do të duhej, sipas ligjit të vazhdonte licencën për Trepçën”, deklaron Haxhiu.

Deputeti i PDK-së thotë se ka mbetur i befasuar me heshtjen e sotme të menaxhmentit të Trepçës, pasi mungesa e licencës vërtetë ia vështirëson punën e këtij kombinati.

“Ka kohë që Trepça është buzë kolapsit deri më tani, jo për mungesë licence, por për shkak të keqmenaxhimit. Me datë 09 Mars 2015, menaxhmenti i Trepçës kishte njoftuar opinion e gjerë se Trepçën e kanë sjellë në gjendje të rëndë financiare , sipas tyre për arsye se licenca për shfrytëzim ju ka skaduar me 24 janar 2015! Ky njoftim i menaxhmenti të Trepçës nuk ishte i saktë , sepse sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale neni 36, pika 4, KPMM-ja mundet – në rrethana të veçanta dhe në ushtrimin e diskresionit të tij të arsyeshëm – të vazhdojë , periudhën në fjalë për një periudhë shtesë prej tre (3) muajve. D.m.th, në rastet kur nuk refuzohet licenca aplikuesit i lejohet vazhdimi i saj edhe për tre muaj shtesë, që në rastin e Trepçës i bie se licenca ishte e lejueshme deri me 24 prill 2015”, thekson deputeti Bekim Haxhiu, i cili thotë se para skadimit të këtij afati ligjor menaxhmenti i Trepçës do të duhej të bënte trysni që Kuvendi i Kosovës të mblidhej në një mbledhje urgjente për te funksionalizuar bordin e KPMM dhe pajisur Trepçën me licencë, por kjo nuk ndodhi dhe që nga sot Trepça është pa licencë.
“Trepçës dhe minatorëve i uroj fat! Kolegëve të mi ju uroj rrugë të mbarë për në Beograd!”, thotë Haxhiu.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Trepçës, Musa Mustafa, në një prononcim për Veriu.info edhe një herë e ka përsëritur se Trepçës i ka skaduar licenca më 24 janar.

“Kuvendi i Kosovës mblidhet me gjasë me 7 maj dhe në atë seancë presim që zgjidhen anëtarët e rinj të Bordit të KPMM-së, në mënyrë që pastaj ai të konstituohet dhe Trepça të marrë licencën”, thotë Mustafa.

I pyetur se deri kur Trepça mund t’i paguaj pagat e punëtorëve në rast se vazhdon të mos konstituohet Bordi i KPMM-së, zëdhënësi Mustafa thotë: “Për këtë nuk e di. Mirëpo, Qeveria duhet të ndërhyj, sepse puna nuk po mund të zhvillohet për fajin e institucioneve qendrore, për shkak se nuk po e konstituojnë KPMM-në”, thekson ai. /Veriu.info/