Telegrafi

“Trepça” në veri pritet të fitojë 24 milionë euro nga shitja e koncentratit

Pjesa e ndërmarrjes “Trepça” që menaxhohet nga serbët ka kontraktuar shitjen e sasisë së prodhimit të sivjetmë të zinkut dhe të plumbit, shkruan sot Koha Ditore.

Nga shitja e koncentratit të plumbit, “Trepça” do të përfitojë 18 milionë e 650 mijë e 280 euro. Kompania “Mineco International Limited”, me seli në Londër, është shpallur fituese e tenderit për blerjen e plumbit.

Kurse 5 milionë e 315 mijë e 329 euro janë pritjet e këtij menaxhmenti për të përfituar nga shitja e koncentratit të zinkut me seli në Zveçan.

Tenderin e ka fituar kompania “Zaklady Gorniczo Hutnicze Boleslaw S.A.”, me seli në Poloni, përcjell koha.net. Këto vlera që janë publikuar mund të ndryshojnë nga lëvizja e çmimeve të tregut të aksioneve si dhe prodhimit që pritet të ketë kjo pjesë e “Trepçës”. /Telegrafi/