Trepça është fituese e Kupës së Kosovës, duke mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Mitrovicasit në finale mundën Sigal Prishtinën me rezultat 74:66 (17:20, 24:20, 17:18, 16:8).
Çereku i parë ishte tërësisht i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej në rezultat dhe herë njëra kalonte në epërsi e herë tjetra, derisa përfundoi 17:20. Ngjashëm ishte edhe periudha e dytë, që zhvillohej në atmosferë mbresëlënëse dhe me motiv të madh për fitore, derisa përfundoi 41:40.
Edhe perioda e tretë ishte tërësisht e barabartë, duke bërë që gjithçka të vendoset në dhjetë minutat e fundit. E në minutat e fundit, mitrovicasit ishin më të vëmendshëm, duke triumfuar 74:66.
Medaljet i kanë ndarë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe Valton Bilalli, anëtar i Bordit të FBK-së.
MVP i Final 8 është shpallur Drilon Hajrizi, çmim të cilin ia kanë ndarë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ndërsa trofeun Valdrin Haxiut ia dorëzoi kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.