Pas fitores ndaj Boreas në fundjavë, skuadra e Trepçës sonte ka arritur ta triumfojë sërish në Superligë në përballjen ndaj Rahovecit.
Pjesa e parë ishte pothuajse tërësisht e barabartë dhe diferenca në rezultat u bë në pjesën e dytë të ndeshjes.
Në çerekun e tretë, mitrovicasit shënuan 14 pikë më shumë se kundërshtari, duke krijuar një epërsi të konsiderueshme, të cilën e ruajtën deri në fund të ndeshjes dhe duelin e parafundit të stinorit vjeshtor e mbyllën me fitore 64-78.
Më të dalluarit në këtë humbje të ‘vreshtarëve’, të cilët duket se sonte e vuajtën largimin e amerikanit Xavier Newson, sonte ishin Junious Powrell me 19 pikë, 1 kërcim e 4 asistime dhe Mustafë Merovci me 15 pikë, 6 kërcime e 2 asistime.
Te Trepça u veçuan Julian Hyden me 26 pikë, 12 kërcime e 9 asistime (1 asist i mungoi për të arritur triple-double), Mark Williams me 18 pikë, 7 kërcime e 4 asistime dhe Agon Selmani me 17 pikë, 1 kërcim e 1 asistim.
Kjo humbje bën që bilanci i Rahovecit tashmë të jetë 8-5, ndërsa Trepça mbetet në vendin e gjashtë me bilanc 4-9. /borozani/